Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka reaguar ndaj deklaratës së Presidentes Vjosa Osmani pas arrestimit të kameramanit, Jetmir Muji, duke e quajtur si sulm të paparanueshem kundër gazetarëve dhe medieve.
Asociacioni i Gazetarëve ka thënë se se raportimi i gazetarëve për vajzat e presidentes është në interes të publikut dhe jo përndjekje.
“Vajzat e Presidentes Osmani janë persona publikë. Raportimi për shkollimin e tyre, qoftë në shkollë publike apo private, është në interes të publikut dhe jo përndjekje. Të papranueshme dhe të rrezikshme janë gjuha dhe sulmet e Presidentes Osmani ndaj gazetarëve dhe mediave”- thuhet në reagimin e AGK-së.
AGK në reagimin e saj ka theksuar se është posaçërisht e shqetësuar me këtë paragraf të reagimit të Presidentes Osmani: “Asnjëherë, disa të ashtuquajtur gazetarë (për ndonjë prej tyre do të shokoheshit se me çfarë veprimtarie të kundërligjshme merren, sipas institucioneve tona të sigurisë), asnjëherë nuk kanë shkruar se presidentja e vendit i dërgon fëmijët në shkollë publike në Kosovë, përkundër sfidave të mëdha me të cilat përballej kjo shkollë”.
Asociacioni i Gazetarëve e ka konsideruar këtë paragraf si shantazh të hapur publik ndaj gazetarëve me qasje të pakufizuar të Presidentes Osmani, në raporte të institucioneve të sigurisë.
“Një mesazh i tillë kur vjen nga kreu i shtetit duhet të shërbejë si alarm për sigurinë juridike të secilit qytetar të Kosovës. AGK-ja e fton Presidenten Osmani që të heqë dorë nga praktika jodemokratike e sulmeve ndaj mediave, dhe ta ushtrojë me përgjegjësi postin që ka”- vazhdon reagimi i AGK-së.