Heroi Afrim Bunjaku është kujtuar nga kolegu i tij, Fahri Shala, në dyvjetorin e rënies së tij në krye të detyrës në Banjskë.
Duke kujtuar momentet e fundit me të, Shala ka thënë se ato u shndërruan në dëshmi të pavdekshme të besnikërisë, trimërisë dhe dashurisë së tij për atdheun.
Dhimbjen për humbjen e kolegut të tij e ka përshkruar si të madhe, porse krenarinë për sakrificën që ai ka bërë e ka quajtur lehtësim të shpirtit dhe forcë për të ecur përpara.
“Me përulje e respekt të pafund, përkulemi para aktit të tij sublim, para vendosmërisë dhe guximit që e bënë të flijohej për mbrojtjen e sovranitetit të vendit tonë të shtrenjtë. Gjaku i tij, ashtu si gjaku i të gjithë dëshmorëve, është gurëthemeli i shtetit tonë, trashëgimia më e shenjtë mbi të cilën ndërtojmë të ardhmen. Veprat e tij janë frymëzim i gjallë, udhërrëfyes për brezat që do të vijnë, për t’u kujtuar se liria ka emër, se liria ka çmim dhe ky çmim është gjaku i dëshmorëve”, ka shkruar Shala.
Duke shtuar se Bunjaku nuk është vetëm kujtim i dhimbjes, ai e ka quajtur atë flamur të guximit, shtyllë të nderit dhe mishërim të dashurisë së pashuar për Kosovën.
Sipas Shalës, ai do të jetojë në çdo hap të lirisë dhe në çdo frymëmarrje të këtij vendi që ai mbrojti me gjakun e tij.
Shala është edhe dëshmitar në rastin Banjska.
Lidhur me sulmin terrorist në Banjskë, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj 45 të pandehurve – Millan Radoiçiq, Bllagoje Spasojeviq, Vlladimir Tolliq, Dushan Maksimoviq, Vlladimir Radivojeviq, Uglesa Jarediq, Millorad Jevtiq, Vllastimir Andriq, Aleksandar Millosavleviq, Llazar Smigiq, Velko Gjorgjeviq, Vlladimir Vuçetiq, Stefan Jovanoviq, Millovan Kërstoviq, Urosh Milliq, Trajko Vasiq, Danillo Vasiq, Vukashin Jarediq, Sasha Periq, Nemanja Stankoviq, Momçillo Vuçkoviq, Stefan Radojkoviq, Marjan Radojeviq, Marko Arsiq, Zharko Cvetkoviq, Kërsto Damjanoviq, Stefan Millosavleviq, Marko Saviq, Aleksandar Jevremoviq, Radosh Gvozdiq, Ivan Milliq, Gojko Zubaq, Nemanja Radivojeviq, Radak Adziq, Milosh Millenkoviq, Gjorgje Balloviq, Danijell Dukiq, Danillo Virijeviq, Alleksandar Tanaskoviq, Millosh Kragoviq, Milan Nedeljkoviq, Nikolla Illiq dhe Vladan Illiq.
Aktakuza i ngarkon ata me vepra terroriste dhe vepra kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës. Në aktakuzë thuhet se ky grup, nëpërmjet përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, ka tentuar që “ta shkëpusë pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës, respektivisht komunat e banuara me shumicë serbe, dhe këtë pjesë të territorit t’ia bashkojë Republikës së Serbisë”. Si lider i këtij grupi është identifikuar Radoiçiqi, për të cilin thuhet se ka luajtur rol të rëndësishëm në koordinimin e sulmit dhe aktivitetet kriminale. Radoiçiqi gjendet në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara dhe të Mbretërisë së Bashkuar për lidhjet me krimin e organizuar ndërkombëtar dhe korrupsionin.