Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim më të enjten, se deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës, duhet që sa më shpejt dhe jo më vonë se 30 ditë të përfundojnë seancën konstituive të Kuvendit duke zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët e tij.
Lidhur me këtë, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka deklaruar se partia e tij pret që grupi më i madh parlamentar – LVV-ja të veprojë në përputhje me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Votim i hapur – siç është vepruar gjithnjë – konsensus e kompromis – siç e kërkon demokracia e sjellja normale politike. Ky është thelbi i vendimit të sotëm. Kështu kishim kërkuar gjithnjë”, është shprehur Abdixhiku në Facebook teksa ka publikuar një komunikatë për media të LDK-së, në të cilën mirëpritet vendimi i Kushtetueses.
Abdixhiku më tej shkruan se duhet votim i hapur, konsensus e kompromis.
“Dhjetra seanca të humbura, për teke të imponimit që u konstatua si jokushtetues sot. Nga nesër, LDK pret që grupi më i madh parlamentar të veprojnë në përputhje me këtë aktgjykim, t’i ndërpresin bllokimet dhe të kontribuojnë në konstituimin sa më të shpejtë dhe të rregullt të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Abdixhiku.