Rrëzimi i Qeverisë në Malin e Zi ka hapur mundësinë për ardhjen në krye të vendit të një shqiptari, për të parën herë në histori. Njohësit e zhvillimeve në Mal të Zi thonë që udhëheqja e re do të duhej që ta kthente vendin në rrugën euroatlantike, porse ata nuk presin që zhvillimet të ndikojnë negativisht në marrëdhënien me Kosovën. Disa madje vlerësojnë se me Qeverinë e re, bashkëpunimi mes dy shteteve do të jetë edhe më i ngushtë.
Ardhjen e një shqiptari në krye të Ekzekutivit në Malin e Zi e ka hapur rrëzimi i Qeverisë së Zdravko Krivokapiqit.
Gjasat që Dritan Abazoviq të vijë në krye të Qeverisë në Podgoricë është vlerësuar si një mundësi e mirë për zgjerimin e bashkëpunimit midis Kosovës dhe Malit të Zi.
Sipas kryetarit të Partisë Alternativa, Nik Gjeloshaj, bashkëpunimi tani e tutje do të jetë edhe më i mirë, sa u përket shqiptarëve dhe Kosovës.
“Sa u përket shqiptarëve dhe Kosovës mendoj se mund të jetë vetëm mirë. Nuk shoh se mund të ketë ndonjë zhvillim që mund të ndikojë në mënyrë negative, sepse në qoftë se kishim drojë prej Qeverisë së kaluar sepse ishte e diktuar nga Kisha Serbe se mund të ketë ndonjë lëvizje, mirëpo nuk ndodhi, tash është një pjesë e së kaluarës”, ka thënë Gjeloshaj, kryetar i Tuzit.
E profesori i Shkencave Politike, Anton Vukpalaj, ka theksuar se kthimi i Malit të Zi drejt rrugës euroatlantike do të duhej të ishte një nga synimet e Qeverisë së ardhshme.
“Në njëfarë mënyre me ia mbyllë rrugën Rusisë që me pas ndikim në Mal të Zi edhe normalisht edhe me i integru edhe pakicat në Mal të Zi, për shkak se Mali i Zi ka më shumë se 20 për qind të popullsisë që janë pakica boshnjake shqiptare dhe këta kanë qenë të përjashtuar prej pjesëmarrjes në qeveri edhe përtej përqindjes së madhe që përbëjnë…”, ka thënë ai.
Ndërkaq, ish-ambasadori i Kosovës në Mal të Zi, Ylber Hysa, ka bërë të ditur se rrëzimi i Qeverisë së Krivokapiqit, i hap rrugën që në krye të ekzekutivit atje të vijë Abazoviqi.
“Z. Abazoviq ka qenë ekonomik në përdorimin e shqiptarizmit të tij, është një politikan i cili nuk është ndërtuar me parti etnike, por megjithatë është aty të reflektojë një përpjekje për të bërë një Mal të Zi reformues me orientime të qarta euroatlantike dhe çdo lloj orientimi i tillë i kthimit kah një ‘meindstrim’ i politikës malazeze, i cili është i ndërtuar mbi vlera atlantike është një lajm i mirë për fqinjësinë dhe lajm i keq për ata që kanë synuar që të bëjnë një lloj revizionizmi duke pretenduar një botë serbe”, ka thënë ai.
Kuvendi i Malit të Zi ka votuar të premten mbrëma, me 43 vota për dhe 11 kundër, mocionin e mosbesimit për Qeverinë e kryeministrit Krivokapiq. Në votim, nga 81 deputetë, morën pjesë 54 syresh.