Ish-ambasadori i Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Avni Spahiu, ka thënë se Kosova në një formë i përket sigurisë perëndimore, andaj nuk ka arsye të brengoset për situatën e krijuar në Ukrainë.
I ftuar në 60 Minuta të KTV-së, Spahiu ka shtuar se Kosova megjithatë duhet t’i shprehë shqetësimet e veta.
Sipas tij, vendi duhet ta shfrytëzojë këtë situatë duke pasur më shumë kontakte me strukturat e NATO-s.
“Ne duhet shfrytëzuar këtë situatë që të jemi më të sigurt karshi aventurave që mund të marrë Putini në këtë pjesë të Evropës. Duhet të kemi sa më shumë kontakte me strukturat e NATO-s, me ndërkombëtarët dhe të shprehim qartë brengosjen tonë se çfarë do të mund të ndodhë në rajon dhe kush do të na mbrojë ne dhe të jemi sa më afër këtyre strukturave. Unë mendoj që ne jemi pjesë të një rrjeti të sigurisë perëndimore, euroatlantike prandaj nuk kemi arsye që të brengosemi shumë sa i përket situatës, megjithatë duhet ta shprehim shqetësimin tonë”, ka thënë ai.
Spahiu më tej ka thënë se me njohjen e pavarësisë së territoreve të Donetzkut dhe Luhanskut, që janë të kontrolluara nga separatistët e mbështetur nga Rusia, kjo e fundit po bën aneksim.
Ai ka deklaruar se kjo që po bën Rusia nuk është asgjë tjetër përveçse pushtim apo agresion flagrant në kundërshtim me rregullat e ligjit ndërkombëtar.
“Rusia më parë i pushtoi ato me ndihmën e popullsisë ruse edhe i ndihmoi për t’u shkëputur që tani gjoja për të mbrojtur bashkëkombësit e vet në këto rajone, i futi trupat e vet. Për mua kemi të bëjmë me një aneksim. Jam i sigurt që tani do të pasojnë të gjitha marrëveshjet të cilat do të sjellin që të dy këto rajone në kuadër të Rusisë, kjo do të bëhet formalisht sepse një njohje që nuk e njeh askush nuk mund të jetë jetëgjatë, por këtë Rusia e bëri që t’i aneksojë ato. Aspiratat e Rusisë kanë qenë shumë të mëdha, ky është një agresion. Për mua është plotësisht një pushtim, një agresion flagrant në kundërshtim me rregullat e ligjit ndërkombëtar. Rusia rrethoi për disa javë Ukrainën duke e kërcënuar me pushtim të plotë, por tani duke parë presionin e madh ndërkombëtar, Rusia dëshiron të ketë një trofe lufte dhe formalisht t’i aneksojë këto dy rajone”, ka thënë ai.
Sipas Spahiut, format që përdorë Rusia tashmë janë të njohura, me anë të përdorimit të minoritetit të vet për të bërë përpjekje që përmes sulmeve t’i kthejë në orbitën e vet të ndikimit. Ai ka shtuar se me këtë formë secili vend si Rusia mund të fillojë luftë.
“Këtu kemi të bëjmë me qytetarët që e kanë rusishten gjuhë amtare. Secili vend në botë po të jetë një vend agresiv si Rusia, mund të fillojë luftë. Ne kemi edhe shembullin tonë, kur tensionohet gjendja, përdoret ky pretekst ‘po rrezikohet pakica jonë’. Ky është vetëm fillimi, nuk do të kënaqet Rusia me të, do të vazhdojë me këtë agresivitet. Rusia jo vetëm me territor, por dëshiron që të kthehet si një faktor esencial në punët e Evropës dhe me planin global sepse mendon se ka humbur pozicionet në dekadat e fundt”, ka shtuar ai.
Spahiu më tej tha se Rusia po i kthehet kohës së diktaturave ish-komuniste por tani në një stil të ri, duke iu kërcënuar Perëndimit, ajo është duke shkaktuar jo vetëm kërcënim ndaj paqes, por edhe duke kërcënuar të arriturat e deritanishme.
Derisa ka folur për sanksionet që mund të vijnë sikurse nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ashtu edhe nga Bashkimi Evropian dhe nga Britania e Madhe, ai përmendi faktin se Gjermania inkurajoi Rusinë duke u bërë klient i gazit sovjetik, “duke i krijuar vetes një varësi pa vrarë mendjen se cila është Rusia e vërtetë”.
Sipas tij, sanksionet më të rënda mund të vijnë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Putini njihet si agresor që nuk ka konsideratë për asgjë. Presidenti Biden e ka dëshmuar vetën për fortësinë e tij dhe për jokompromisin sa i përket gjërave esenciale që kanë të bëjnë me sigurinë e Amerikës. Putini synon të rikthejë pozicionet e Bashkimit Sovjetik, të krijojë një atmosferë të Luftës së Ftohtë siç ka qenë në të kaluarën, por tani duke bashkëpunuar edhe me Kinën. Por, e tërë kjo do të varet nga vetëdijesimi i Amerikës dhe reagimi ndaj këtij rreziku”, ka thënë ai.
Derisa tha se pritet të shihet se çfarë lloj sanksionesh do të vendosen për Rusinë për shkak të veprimeve të saj, Spahiu ka theksuar se një ndër masat më të ashpra të Perëndimit është që të mos ketë qasje në institucionet financiare.
“Në aspektin politik kjo që po ndodhë në Ukrainë me Rusinë, përfundimisht e bën të njohur BE-së, SHBA-së të cilat e kanë përcjellë në vijimësi këtë situatë, që të shikojnë raportet me Rusinë, andaj edhe për këtë është ashpërsuar gjuha e tyre sepse kemi të bëjmë me interesin dhe sigurinë e tyre personale, tani do të jetë interesant të shohim se çfarë lloj pakoje sanksionesh do të ketë BE-ja ndaj Rusisë, shpresoj të mos jetë formale por substanciale që t’i shkaktojë dëme ekonomike e politike Rusisë. Krijimi i një situate ku Rusia nuk do të ketë qasje në institucionet financiare, te kredituesit, mund të jetë një ndër masat më të ashpra që mund të marrë Perëndimi”, ka thënë Spahiu.