Në Odën e Mjekëve të Kosovës është bërë sot prezantimi i patentimit të parë të bërë në fushën e mjekësisë kosovare.
Punimi i doktorit kosovar, Enver Hoxha ka arritur që me punën e tij dyvjeçare të shpikë një pajisje kirurgjikale e cila do t`i ndihmojë mjekët për trajtimin më të lehtë të pacientëve.
Me këtë rast, kryetari i Odës së Mjekëve, Pleurat Sejdiu theksoi se kjo e arritur është edhe stimulim për mjekët e rinj që të merren me zhvillimin e shkencës dhe punën e tyre a zhvillojnë në Kosovë.
“Pas një punë dyvjeçare kanë arrit të bëjnë patentimin në një shtet evropian të një produkti e një aparature e cila me specifikat e veta është treguar si inovacion për shtet e zhvilluara dhe me këtë rast vjen edhe tek ne”, u shpreh Sejdiu.
Ndërsa, vetë autori i punimit të patentuar në Gjermani, Enver Hoxha, që është specialist i Kirurgjisë Plastike dhe njëherësh edhe anëtar i Odës së Mjekëve, deklaroi se tërë punimin e zhvilloi me mjete vetanake, teksa tregoi edhe përparësitë e zbulimit të tij.
“Pajisja e cila është shpikur përdoret ne shumicën e lëmive kirurgjike, qëllimi saj është thithja e lëngjeve. Në kuadër të këtij patentimi janë dy modele te të njëjtit funksion. Avantazhi i kësaj pajisje është që mund të përdorët në të gjitha nivelet e zhvillimit ekonomik, si në venet e zhvilluara si në të varfra, është shumë praktike”, nënvizoi Hoxha.
Në punën e tij, Hoxha është asistuar nga profesori Hysni Arifi, ndërsa u kërkua që në të ardhmen të ndahet edhe fondi për hulumtime shkencore për të mirën e shëndetësisë kosovare, transmeton Klankosova.tv.