Nga 31 janari deri më 2 shkurt, Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak dhe Përfaqësuesi Special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor dhe Zëvendësndihmës Sekretari Gabriel Escobar, do ta vizitojnë Kosovën.
Në Prishtinë, Lajçaku dhe Escobari do të takohen me lidershipin politik në Kosovë, liderë të partive politike si dhe me përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare, thuhet në njoftimin e BE-së.
Më tej njoftohet se qëllimi kryesor i udhëtimit është diskutimi i hapave të ardhshëm në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i lehtësuar nga BE-ja dhe i mbështetur nga SHBA-ja.
Lajçaku do të takohet gjithashtu me përfaqësues të shoqërisë civile dhe do të vizitojë pikëkalimin kufitar në Mutivodë.
Ndërkohë, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se do ta mirëpresë Escobarin.
“Progresi në dialogun e lehtësuar nga BE-ja mbetet mënyra më e mirë për të siguruar që liderët e Kosovës mund të japin rezultate për qytetarët dhe se Kosova njihet dhe zë vendin e merituar si lider botëror”, shkroi ai.
Sipas agjendës së tyre, Escobari dhe Lajçaku do të takohen në Bruksel më 30 janar, më 31 do të vijnë në Kosovë bashkë dhe do të qëndrojnë deri më 2 shkurt. Nga 2 deri më 4 shkurt më pas do të qëndrojnë në Serbi.