Të hënën, përfundon ora policore për personat e pavaksinuar, e cila hyri në fuqi në Austri, në nëntor të vitit të kaluar, si pjesë e luftës kundër COVID-19.
Kryeministri, Karl Nehammer, dhe ministri i Shëndetësisë, Wolfgang Muckstein, informuan publikun mbi COVID-19, shkruan Anadolu.
Nehammer deklaroi se pavarësisht përhapjes së shpejtë të variantit Omicron në Austri, kjo nuk shkaktoi rritje serioze të numrit të pacientëve në repartin e kujdesit intensiv dhe spitalet.
Duke u shprehur se ngjarjet në lidhje me Omicronin po monitorohen nga afër, Nehammer tha se nga e hëna e 31 janarit do të hiqet ora policore për personat e pavaksinuar.
Ministri i Shëndetësisë, Muckstein, tha se në ditë janë regjistruar deri në 30 mijë raste të reja me COVID-19. Ai beson se vala e Omicronit do të arrijë nivelin më të lartë në ditët në vijim dhe do të vazhdojë me masat strikte tashmë të vendosura.
Muckstein tha se vaksinimi i detyrueshëm do të ndihmojë shoqërinë të përgatitet për variantet e mundshme të koronavirusit, që mund të shfaqen pas Omicronit.
Për shkak të rritjes së ndjeshme të numrit të pacientëve në repartin e kujdesit intensiv, gjatë periudhës kur varianti Delta i COVID-19 ishte dominues në Austri, qeveria vendosi orë policore për të pavaksinuarit në nëntor 2021 dhe për të vaksinuarit në dhjetor.
Kufizimet për të vaksinuarit janë hequr para vitit të ri.