Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe e Kulturës së Kosovës (SBASHK), ka përsëritur paralajmërimin se nëse nuk dëgjohen kërkesat e tyre, në fund të marsit, mësimdhënësit mund të futen në greva. Nëpërmjet një komunikate, kryesindikalisti Rrahman Jasharaj tha se kanë zhvilluar takime me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci e ministrin e MPB-së, Xhelal Sveçla, me qëllim të dhënies së hapësirës për dialog e punë.
“Ministrja Nagavci ishte edhe në takimin tonë me Ministrin Sveçla dhe ne pezulluam protestat e grevat për t’i dhënë hapësirë dialogut dhe punës së qetë të komisionit te ngritur për ligjin e pagave, por kërkuam afate dhe kjo është shumë e drejtë, e po ashtu u deklaruam publikisht se nëse këto afate nuk respektohen në fund të marsit organet e SBASHK do ta dëgjojnë zërin e anëtarësisë dhe nuk përjashtohen as veprimet sindikale, gjegjësisht grevat”, thuhet në komunikatë.
SBASHK-u potencoi se në rast se mësimdhënësit futen në grevë, “Qeveria do të jetë përgjegjëse pse nuk ka mbajtur fjalën dhe premtimin e dhënë.
“Ky nuk është as shantazh, as kërcënim, po paraljmërim me kohë se grevë mund të ketë”, thuhet tutje.
SBASHK-u thotë se kanë kërkuar nga Nagavci që ndaj 400 punëtorëve të arsimit, që janë me sëmundje të rëndë, të veprojë duke iu siguruar mjete buxhetore dhe t’i lirojë nga procesi mësimor për një vit.
“Ne e kemi thënë publikisht e në emër të punëtorëve të arsimit se jemi të gatshëm e të përkushtuar, që pavarësisht vështirësive të mëdha të krijuara nga pandemia, të mbajmë procesin mësimor në institucione arsimore. Ne dëshmuam do të dëshmojmë se jemi në shërbim të arsimit, por edhe në shërbim të kërkesave të anëtarësisë.”