Kuvendi Kombëtar i PD-së ka miratuar të shtunën vendimin për të lënë jashtë strukturave qendrore të partisë, personat e shpallur non grata.
Gjithashtu, delegatët demokratë kanë shpallur “nul” vendimet e marra gjatë Kuvendit të ish-kreut të PD-së, Sali Berisha, më 11 dhjetor.
Gjatë Kuvendit të Berishës, delegatët e thirrur shkarkuan nga detyra nënkryetarët e PD-së si edhe Sekretarin e Përgjithshëm. Gjithashtu vendosën që, më 18 dhjetori, të mbahej një Referendum për shkarkimin edhe të kryedemokratit Lulzim Basha.
Gjana tha se “kemi shumicën dërrmuese të delegatëve”, duke theksuar numrin 5 mijë e 4 delegatë.
“Kuvendi ka gjithsej 7600 delegatë. Sipas prezencës së nënshkruar prej secilit prej tyre, janë të pranishëm në Kuvendin Kombëtar 5004 delegatë”, u shpreh ai.
Anëtari i këtij Komisioni, Enkeled Alibeaj propozoi që në statutin e Partisë Demokratike të shtoheshin dy dispozita të cilat i dedikohen krijimit të një strukture të re organizative e emërtuar si aleanca qytetare për demokracinë.
“Pas nenit 58 të statutit, shtohet neni 58/1 me përmbajtjen që vijon: Aleanca Qytetare për Demokracinë. Përveç organizatave partnere të nenit 58, të tillë Partia ka edhe aleancën qytetare për demokracinë. Kjo organizatë partnere përbëhet nga intelektualë me reputacion profesional ose me kontribut të spikatur në shoqëri të cilët shfaqin interes dhe bashkëndajnë vlerat dhe parimet e Partisë Demokratike. Anëtarësimi në parti nuk është kusht për Aleancën Qytetare për Demokraci”, ka thënë Alibeaj.
Në përfundim pritet miratimi i programit organizativ të Partisë Demokratike për të përgatitur strukturën e partisë për zgjedhjet e ardhshme.
Ndërkohë jashtë Pallatit janë pozicionuar të gjithë mbështetësit e Bashës.
Ata mbajnë në duar një banderolë ku shkruhet se “zgjedhin të ardhmen”./TCH