Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se 28 Nëntori është një datë themelore e identitetit kombëtar shqiptar, që lidhet me ngjarjet më të rëndësishme historike të popullit shqiptar.
Kurti këtë deklaratë e ka bërë gjatë homazheve që bashkë me presidenten, Vjosa Osmani, kanë kryer sot në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz, për nder të 28 Nëntorit- Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë.
“28 Nëntori është një datë themelore e identiteti kombëtar shqiptar, e që lidhet me ngjarjet më të rëndësishme historike tonat, prej Skënderbeut në Krujë, te Ismail Qemali në Vlorë, të Adem Jasshari në Prekaz”, ka thënë Kurti.
Sipas tij, kjo ditë nuk është vetëm ditë e gëzimit dhe krenarisë, por edhe e përgjegjësisë për të krijuar një jetë më të mirë për shqiptarët.
“Kjo është një dite që na mbush me gëzim, krenari dhe përgjegjësi për shkak se detyrat para nesh për ta ngritur mirëqënien e qytetarëve tanë, për të zhvilluar vendin tonë, për të shtuar demokracinë në Republikën tonë, janë më të rëndësishme se kurrë më parë, dhe ne bëjmë gjithçka që dimë dhe mundemi të jemi në nivel të kësaj detyre, që e vazhdon në paqe punën dhe luftën e madhe të atyre që e bënë në kohëra shumë më të vështira se kjo e jona. Përkulemi dhe nderojmë ata që sakrifikuan e u flijuan për liri, për pavarësi e për bashkim”, është shprehur Kurti.
Kurti e Osmani kanë bërë homazhe edhe te shtatorja e Ismail Qemalit në Prishtinë e te ajo e Zahir Pajazitit në sheshin në Prishtinë.