Pas kërcënimit që ka marrë në rrjete sociale kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Policia e Kosovës ka treguar për masat që ka ndërmarrë.
“Policia e Kosovës, pas pranimit të informacioneve lidhur me kërcënimin ndaj Kryeministrit të Republikës së Kosovës z. Kurti, menjëherë ka ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme operativo hetimore.
Fillimisht Policia e Kosovës, ka shtuar masat e sigurisë personale të Kryeministrit përfshirë këtu mbrojtjen e afërt, por gjithashtu edhe ka dërguar njësi të reagimit të shpejtë nga Regjioni i Prishtinës të përberë nga dy zyrtarë policorë, në sigurim te shtëpia e banimit të Kryeministrit. Policia e Kosovës konfirmon se në këtë aktivitet nuk ka pasur të angazhuar asnjë zyrtarë të njësive speciale.
Lidhur me rastin menjëherë janë iniciuar hetimet dhe ato janë duke vazhduar, përderisa bazuar në hetimet e deritanishme dhe vlerësimin e rrezikut, njësia e reagimit të shpejtë është larguar nga lokacioni.
Policia e Kosovës do të vazhdojë angazhimin drejt ofrimit të sigurisë ndaj personaliteteve të vendit dhe qytetarëve të saj, duke përfshirë edhe hetimin dhe trajtimin e të gjitha rasteve”, thuhet në njoftimin e policisë.
Përmes një postims në Facebook, një person me llogari false kishte thënë se do të paguante për vrasjen e Kurtit.
E për këtë, kryeministri Albin Kurti ka folur sot për kërcënimet që ka marrë mbrëmë.
Ai ka thënë se nuk ndihet i rrezikuar, raporton FrontOnline.
“Së pari nuk ndihem i rrezikuar mirëpo janë organet e sigurisë ato që i vlerësojnë kërcënimet dhe i ndërmarrin veprimet në përputhje me rrethanat. Unë as dje e as sot nuk e kam ndryshuar agjendën time”, ka thënë ai.