Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë se Kosova do të ishte pala e vetme që përfiton nga një dakordim i mundshëm për hapjen e arkivave me Serbinë. Sipas tij, Kosova i ka të hapura të gjitha arkivat dhe se s’ka asgjë për të fshehur, por me një marrëveshje të tillë “fiton mundësinë për të konsultuar dokumente të vlefshme mbi vendndodhjen e trupave të personave të zhdukur me forcë dhe ende të pagjetur”.
Një ditë pasi Bislimi në konferencë për media njoftoi se me Serbinë janë dakorduar që të hapin arkivat, përfshirë ato për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, ai ka dalë me reagim në Facebook si përgjigje ndaj kritikëve të kësaj lëvizjeje. Bislimi ka thënë se deklarata e tij është keqinterpretuar.Nga deklarata për hapjen e arkivave, Bislimi ka thënë se janë katër konkludime duke nisur nga ajo se Kosova e sheh me urgjencë përfundimin sa më të shpejtë të mundshëm të procesit të gjetjes së të zhdukurve.
Si konkludim të dytë ai ka thënë se ngecja e deritashme në dialog ka ndodhur për shkak të mosgatishmërisë së Serbisë për të bashkëpunuar me seriozitet.
“Kjo është reduktuar në moslejimin e qasjes në arkivat shtetërore të ushtrisë së Serbisë, respektivisht në departamentin që trajton luftën e vitit 1999 në Kosovë”, ka deklaruar Bislimi.Ai ka thënë se hapja e arkivave është e domosdoshme nëse pala serbe dëshiron të dëshmojë “konstruktivitetin e saj në proces”.
“Përveç kësaj, kemi kërkuar që ekipet punuese të takohen sa më shpesh dhe që njëkohësisht trupat e identifikuar nga vend-gërmimi në Kizhevak të sillen sa më parë në Kosovë”, ka vazhduar ai.
Sipas tij, çdo dokument rreth UÇK-së dhe aktivitetit të saj janë pjesë e arkivit shtetëror të Kosovës. Të gjitha ka thënë se janë të hapura e se janë shfrytëzuar dhe shfrytëzohen nga vendorë e ndërkombëtarë. Ka deklaruar se nuk ka asgjë të fshehtë e se s’ka arsye për të fshehur.Në këtë kontekst, e vetmja palë që përfiton nga dakordimi i arritur në Bruksel (në rast se respektohet nga Serbia dhe për këtë mund të diskutojmë gjithsesi), është pala kosovare, e cila fiton mundësinë për të konsultuar dokumente të vlefshme mbi vendndodhjen e trupave të personave të zhdukur me forcë dhe ende të pagjetur. Përfundimit të ankthit të familjeve të këtyre personave do të duhej t’i gëzohemi të gjithë, e jo të tmerrohemi nga suksesi eventual i ekipit tonë të dialogut”, ka thënë më tej Bislimi.
Duke iu përgjigjur kritikave të opozitës se ky dakordim e ndryshon narrativen e fajtorëve, Bislimi ka thënë se ata “kanë rënë në atë kurth me qëndrimet e tyre të deritanishme”.Ka qenë mu kjo rezistencë falco dhe ne fakt e pasubstancë (meqë arkivat shtetërore të Kosovës kanë qenë të përpunuara dhe ripërpunuara shume herë) që i ka shërbyer narratives së barazisë. Serbia ka pasur para vetes në vazhdimësi një argument të servuar nga ne për të fshehur informacionet për të zhdukurit me forcë. Mos harroni që janë të njëjtët ‘mbrojtës’ që na e kanë gatuar ‘marrëveshjen’ për të pagjeturit vitin e kaluar, një dokument me zero fjali thelbësore e zero përkushtim për personat e zhdukur me forcë. Për dijeninë tuaj krejt çka janë ‘dakorduar’ në vetëm 9 fjali (dhe flasin për rëndësinë dhe ndjeshmërinë e temës) ka qenë që kjo tematikë të trajtohet vetëm pasi të ketë ardhur njohja nga Serbia. Kaq për seriozitetin, përkushtimim, profesionalizmin dhe largpamësinë e tyre. Pjesa më e madhe e atyre që kanë orkestruar sulmet, kanë përhapur gënjeshtrat dhe shpërndarë mjegullën dhe frikën, janë të njëjtit që nga pas lufta kanë fituar poste e tenderë duke u thirrur mu në emër të së njëjtës UÇK. Andaj edhe duhet kuptuar gatishmërinë e tyre për ta sabotuar pamëshirshëm edhe një proces kaq të ndjeshëm, nga tmerri se mos përfundimisht pala kosovare po nxjerr një marrëveshje të dobishme nga bisedimet”, ka përfunduar ai.
Opozita dje dhe sot e akuzoi Qeverinë për dakordimin, ndërsa drejtues të Arkivit mohuan se brenda institucionit shtetëror ka dokumente sekrete rreth UÇK-së.
