Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, e ka quajtur jashtë normave statutore të Partisë Demokratike largimin e tij nga grupi parlamentar. Të enjten, kreu i PD-së, Lulzim Basha, njoftoi për largimin e Berishës pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës e shpallën person non-grata.
Në një deklaratë të parë, pas largimit, Berisha ka thënë se me këtë vendim është bërë dorëzimi i sovranitetit të PD-së. Ai e ka cilësuar aktin si humbje të Shqipërisë.
“Vendimi është jashtë çdo lloj norme statutore dhe të ligjit të vendit. Natyrisht një vendim të tillë një njeri që respekton parimet elementare të një force politike të lirë dhe të një shoqërie të lirë nuk mund ta marrë. Unë e kuptoj presionin e jashtëzakonshëm që ai ka pasur, por pavarësisht presionit mendoj se disa herë më parë duhet të konsideronte dorëheqjen e tij sesa të dorëzonte sovranitetin e Partisë Demokratike. PD-ja është një institucion i sovranitetit të vendit”, ka thënë ai për “Syrin”.
Berisha ka thënë se Basha e mori vendimin “pas presioneve të kryeministrit Rama”. Madje ka thënë se Basha ka qenë i kërcënuar.
