Zyra për media në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës ka sqaruar se vajza e Ramush Haradinajt, kryetarit të kësaj partie, sot i ka dorëzuar dokumentet për pranimin në një shkollë të mesme të Prishtinës dhe jo atë të Zvicrës, “Tasis”.
“Vajza e kryetarit dokumentet i ka dorëzuar në një shkollë në Prishtinë. Ajo do t’i vijojë mësimet në klasë të 10-të”, ka thënë Lulëzim Blaka për Klankosova.tv.Ramush Haradinaj, kryetari i AAK-së, sot me anë të një postimi në rrjetin social Facebook tregoi se e bija e tij ka filluar një etapë të re në shkollim.
“Sot nise një faqe të re në shkollimin dhe jetën tënde! Hana, fati të përcjelltë tërë jetën”, ka shkruar ai.Më herët u raportua se e bija e çiftit Haradinaj, Hana, do të shkollohet në shkollën amerikane në Zvicër, “Tasis”, duke u bazuar në një fotografi që e ka publikuar bashkëshortja e Ramush Haradinajt, Anita.
Në këtë fotografi shihet se e bija e kryetarit të AAK-së kishte të veshur një bluzë me emblemën e kësaj shkolle, ku vlera për një vit shkollor – bazuar në uebfaqen zyrtare – arrin mbi 50 mijë franga.