Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Kosova mbetet mirënjohëse për shërbimin, sakrificën dhe përkushtimin e trupave të NATO-s dhe se ky mision është simbol i bashkëpunimit dhe unitetit.
Në ceremoninë e ndërrimit të Komandës së KFOR-it, ajo ka shtuar se Kosova dhe populli i saj gjithmonë janë rreshtuar me vlerat e lirisë, demokracisë dhe sigurisë kolektive.
“Kosova gjithmonë do të mbetet mirënjohëse për shërbimin tuaj, për sakrificën tuaj dhe për përkushtimin tuaj të palëkundur ndaj paqes. Qoftë ky mision vazhdimisht një simbol i angazhimit të qëndrueshëm të NATO-s dhe një premtim i gjallë se së bashku, uniteti me të vërtetë i mposht të gjitha. Kjo kauzë e madhe me të vërtetë kërkon përpjekjen e secilit prej nesh”, deklaroi Osmani.
Osmani riafirmoi aspiratën e Kosovës për t’u anëtarësuar në NATO dhe nënvizoi rëndësinë e qëndrueshmërisë dhe partneritetit me aleatët për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit.
“Në një kohë kur kërcënimet ndaj paqes po shumëfishohen, aleanca është më e fortë kur qëndron me partnerë që vërtet e kanë dëshmuar përkushtimin e tyre. Kosova e ka bërë këtë vazhdimisht, përmes qëndrueshmërisë sonë, reformave tona dhe vendosmërisë së popullit tonë. Dhe ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë përkrah aleatëve tanë, sepse vetëm së bashku mund të sigurojmë që paqja e fituar me mund sot të bëhet paqja e qëndrueshme e nesër. Por duhet ta bëjmë të qartë: ka nga ata që përpiqen të zhbëjnë gjithçka që kemi arritur, që duan të na kthejnë pas në të shkuarën. Për ta, përgjigjja jonë duhet të jetë e vendosur. Pajisja me lëshime ndaj diktatorëve dhe autokratëve nuk mund të jetë përgjigjja, sepse historia e tregon këtë herë pas here. Partneriteti nuk mund t’u jepet atyre që kryejnë agresion ndaj fqinjëve.”, theksoi presidentja./KOHA