Sot në kampin “Film City” në Prishtinë po mbahet ceremonia zyrtare e ndërrimit të komandës në Shtabin e Forcës së Kosovës.
Gjatë kësaj ceremonie, gjeneralmajori i Ushtrisë Italiane, Enrico Barduani, do t’ia dorëzojë detyrën e komandantit të KFOR-it gjeneralmajorit të Ushtrisë Turke, Özkan Ulutaş, duke shënuar kështu një tranzicion të rëndësishëm në udhëheqjen e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë.
Në këtë ngjarje të rëndësishme ushtarako-diplomatike kanë marrë pjesë edhe liderët më të lartë institucional të vendit, përfshirë presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti, ministrin e Mbrojtjes Ejup Maqedonci si dhe ministrin e Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla.
Të pranishëm në ceremoni ishin edhe përfaqësues të spektrit politik e institucional, përfshirë deputetët Memli Krasniqi, Donika Gërvalla, Përparim Rama, si dhe shumë zyrtarë tjerë vendorë dhe ndërkombëtarë.
Ky ndërrim komande vjen në një periudhë të ndjeshme për sigurinë në rajon, dhe KFOR-i mbetet faktor kyç në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe më gjerë në Ballkanin Perëndimor.