Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, në kuadër të Forumit të Sigurisë së Varshavës, zhvilloi takime dypalëshe me gjeneralët amerikanë, Tod Daniel Wolters dhe Admiral Mark Montgomery.
“Forumi i Sigurisë së Varshavës ofroi mundësinë e mirë për takime dypalëshe me dy miqtë amerikanë e ndërkombëtarë—Gjeneralët me katër yje. Takova me kënaqësi Gjeneralin Tod Daniel Wolters, Komandanti Suprem i Forcave Aleate për Evropën nga 2019-2022 nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), si dhe Admiral Mark Montgomery, aktualisht Drejtor i Lartë dhe Bashkëpunëtor i Lartë në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive (SHBA)”, shkroi Maqedonci.
Maqedonci bëri të ditur se gjatë takimit prezantoi progresin e FSK-së dhe diskutuan për marrëdhëniet dypalëshe Kosovë – SHBA në mbrojtje.
“Prezantova progresin e Kosovës dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në Planin e Tranzicionit të FSK-së. Diskutuam për marrëdhëniet dypalëshe Kosovë-SHBA në mbrojtje dhe nismat e përbashkëta për t’i forcuar ato. Në fund, i falendërova dy Gjeneralët, miq të Kosovës që kanë kontribuar shumë për arritjet tona në mbrojtje, të bëra në bashkëpunim me SHBA-të”, ka potencuar Maqedonci.