Zëdhënësi i Qeverisë në detyrë i Kosovës, Përparim Kryeziu i ka thënë se autoritetet i kanë nisur hetimet paraprake për identifikim të autorëve të mundshëm për incidentet me të shtëna në kufirin me Malin e Zi, për çka autoritetet malazeze i kanë dërguar notë verbale Ambasadës së Kosovës në Podgoricë.
Mali i Zi ka thënë se të shtënat me armë zjarri dyshohet se janë nisur nga pjesa e Kosovës në zonën pranë qendrës malazeze të skijimit, Hajlla-Shtedim, afër kufirit mes dy shteteve.
Incidenti i parë ka ndodhur në korrik të vitit të kaluar, kur janë vërejtur dëmtime në kabinën e qendrës së skijimit, ndërsa, incidenti i dytë ka ndodhur më 24 gusht të këtij viti, kur janë regjistruar të shtëna në drejtim të një objekti të qendrës së skijimit. Autoritetet malazeze kanë hapur lëndë dhe po kryejnë hetime për rastet.
Kryeziu ka thënë se shteti i Kosovës është njoftuar përmes kanaleve diplomatike nga shteti malazez për incidentet dhe që Policia Kufitare e Kosovës ka nisur të patrullojë menjëherë në zonën e Shtedimit, por që aty nuk janë gjetur dëshmi materiale që konfirmojnë vendin apo rrethanat e incidentit.
“Megjithatë, me udhëzim të Prokurorisë Themelore në Pejë, kanë nisur hetimet paraprake për identifikimin e autorëve të mundshëm, duke u mbështetur edhe në informacione nga burime lokale”, ka bërë të ditur Kryeziu.
Ai ka thënë se institucionet e sigurisë, përkatësisht Policia e Kosovës, ka shprehur gatishmëri për organizimin e një takimi me autoritetet kufitare malazeze me qëllim intensifikimin e bashkëpunimit, shkëmbimin e informacionit operativ dhe parandalimin e dukurive negative përgjatë vijës kufitare, dhe që vetëm këtë vit, dy vendet i kanë kryer 30 patrullime të përbashkëta në zona kufitare.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur më herët gjatë ditës se drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha e ka pritur në takim zyrtar ambasadorin e Malit të Zi në Prishtinë, Bernard Çobaj, për të diskutuar lidhur me sigurinë dhe thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit policor dhe ndërkufitar mes dy vendeve.
Në komunikatë nuk është përmendur nëse dy palët kanë diskutuar edhe lidhur me incidentet e përmendura ditëve të fundit.
Mali i Zi dhe Kosova e kanë nënshkruar Marrëveshjen për demarkacionin në vitin 2015. Mali i Zi e ka ratifikuar atë në të njëjtin vit, ndërsa Kuvendi i Kosovës tre vjet më vonë.