Sot ishte dita e fundit e masës së përkohshme që Gjykata Kushtetuese ia caktoi konstituimit të Kuvendit, duke ua ndaluar çfarëdo veprimi apo procedure për formimin e Qeverisë së re.
Gjykata Kushtetuese ka vendosur që seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës nuk ka përfunduar, pa zgjedhjen e nënkryetarit serb.
Kushtetuesja po ashtu ka obliguar deputetët që të kryejnë edhe çështjen e zgjedhjes së nënkryetarit nga ky komunitet brenda 12 ditësh, sipas afatit nga aktgjykimi i shkuar.
“Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, më 30 shtator 2025 vendosi përkitazi me kërkesën KO265/25, në lidhje me vlerësimin e kushtetutshmërisë së “Procesverbaleve të seancave të Kuvendit të Kosovës”, si dhe vendimeve të nxjerra në kuadër të Seancës Konstituive më 26 dhe 28 gusht 2025, të parashtruar nga Igor Simić dhe 9 (nëntë) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, bazuar në paragrafin 5 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Gjykata, njëzëri, ka vendosur:
I. TË DEKLAROJË, kërkesën të pranueshme;
II. TË KONSTATOJË, që Seanca Konstituive e Kuvendit, e filluar me 15 prill 2025 nuk ka përfunduar si rezultat i moszgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb, dhe Kuvendi nuk është konstituuar në pajtim me përcaktimet e paragrafit 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] dhe paragrafët 1 dhe 4 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;
III. TË URDHËROJË, që Seanca Konstituive e Kuvendit të përfundojë brenda afatit të përcaktuar me paragrafin 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe sipas Aktgjykimit të Gjykatës në rastet KO193/25 dhe KO196/25, përkatësisht brenda afatit të mbetur prej 12 (dymbëdhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij Aktgjykimi;
IV. TË URDHËROJË, të gjithë deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, që në pajtim me nenin 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], nenin 7 [Vlerat], paragrafin 4 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] dhe nenin 74 [Ushtrimi i Funksionit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, që gjatë procedurës së zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e deputetëve të komunitetit Serb, të ushtrojnë funksionin e tyre kushtetues në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës dhe në pajtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit;
V. TË VAZHDOJË, masën e përkohshme, e cila ka hyrë në fuqi nga data 5 shtator 2025, deri në hyrjen në fuqi të këtij Aktgjykimi;
VI. T’UA KUMTOJË këtë Aktgjykim palëve;
VII. TA PUBLIKOJË këtë Aktgjykim në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 (Vendimet) të Ligjit Nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës;
VIII. TË KONSTATOJË që ky Aktgjykim hyn në fuqi në ditën e publikimit nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës dhe njoftimit të palëve, përveç pikës V të dispozitivit, e cila hyn në fuqi menjëherë.
Për më shumë informata, ju lutemi vizitoni uebfaqen zyrtare të Gjykatës Kushtetuese: https://www.gjk-ks.org/“, thuhet në njoftimin e Kushtetueses.