Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti mori pjesë në diskutimin e organizuar nga Hudson Institute në New York me temë “Partneriteti në rritje Kosovë – ShBA në mbrojtje dhe zhvillim”. Në këtë diskutim të pranishëm ishin presidenti dhe drejtori ekzekutiv i Hudson Institute, John Walters dhe hulumtues të lartë të Institutit nga Qendra për Evropë dhe Euroazi dhe Qendra për Paqe dhe Siguri në Lindjen e Mesme.
Hudson Institute është një institut kërkimor i themeluar në vitin 1961 nga Herman Kahn. Ai zhvillon analiza strategjike në fusha si mbrojtja, marrëdhëniet ndërkombëtare, ekonomia, energjia, teknologjia dhe e drejta. Qëllimi është të mbështeten politikëbërësit dhe drejtuesit institucionalë dhe ekonomikë me takime dhe rekomandime konkrete, njofton Zyra e Kryeministrit.
Gjatë diskutimit, Kurti theksoi dy fusha me rëndësi kryesore: bashkëpunimin në mbrojtje dhe bashkëpunimin në zhvillim. Ai shtoi se Kosova sot është një aleat i besuar dhe kontribues në siguri, duke treguar progresin e deritashëm në fushën e mbrojtjes.
“Kosova sot nuk është thjesht një shtet pas-konfliktit nën mbrojtjen e NATO-s. Është një aleat i besuar dhe një kontribues në siguri. Gjatë katër viteve të fundit, më shumë se një mijë anëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës janë trajnuar në programet amerikane, duke përfshirë këtu në ëest Point dhe Kolegjin e Luftës së Ushtrisë Amerikane. Gjatë mandatit tonë e kemi katërfishuar buxhetin tonë të mbrojtjes, me pothuajse të gjithë buxhetin shtesë që i dedikohet sistemeve të reja. Midis këtyre blerjeve janë sistemet anti-tank Javelin, UAV-të, ASV-të, si dhe rifurnizimi i plotë i ushtrisë sonë me armë të vogla të reja, dhe diskutimet për blerjen e helikopterëve Black Hawk janë duke vazhduar. Gjithashtu, kemi nënshkruar Marrëveshjen për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar dhe CISMOA-n, duke u bërë vendi i 33-të në nivel global me këtë status të besuar. Bashkëpunimi ynë shtrihet në mbështetjen e Ukrainës: kemi trajnuar personel ukrainas, kemi dhuruar pajisje, i jemi bashkuar Operacionit Interflex në Mbretërinë e Bashkuar dhe kemi vendosur sanksione kundër Rusisë, Bjellorusisë, Iranit dhe Hezbollahut”, është shprehur Kurti.
Kurti ka thënë se partneriteti me ShBA-në është i ndërtuar mbi shtyllat e diplomacisë, mbrotjes dhe zhvillimit, por që sipas tij, në diplomaci herë pas here përballen me dallime, sa i përket Serbisë dhe strukturave ilegale të saj në Kosovë.
“Mbrojtja është vetëm njëra pjesë e tregimit. Partneriteti ynë është i ndërtuar mbi tre shtylla: diplomaci, mbrojtje dhe zhvillim. Në diplomaci, herë pas here përballemi me dallime, veçanërisht në lidhje me Serbinë dhe strukturat ilegale që ajo mban në Kosovë. Por këto dallime kanë të bëjnë me taktikat dhe operacionet, jo me vlerat apo qëllimet strategjike. Në këto çështje jemi plotësisht në linjë të njëjtë. Në zhvillim, progresi është po aq i rëndësishëm”, shtoi ai.
Tutje, kryeministri në detyrë i vendit, tha se Kosova e ka dëshmuar disa herë gatishmërinë për të mbështetur prioritetet e përbashkëta globale në forma të ndryshme.
“Kosova i është përgjigjur pozitivisht kërkesave të SHBA-së në fusha të tjera, duke përfshirë strehimin e përkohshëm të deri në 50 shtetasve të vendeve të treta në vitin 2025, në përputhje me standardet ndërkombëtare humanitare. Kjo dëshmoi gatishmërinë tonë për të mbështetur prioritetet e përbashkëta globale. Kosova është një vijë e parë mbrojtëse kundër ndikimit keqdashës. Institucionet tona janë të forta, transparente dhe të lidhura ngushtë me partnerët perëndimorë. Me Kampin Bondsteel, praninë e vazhdueshme të KFOR-it dhe bashkëpunimin tonë dypalësh në rritje me Shtetet e Bashkuara, Kosova është një forcë stabilizuese në Evropën Juglindore. Për këto arsye, ne nuk mund të jemi pasivë”, theksoi ai.
Ai ka nënvizuar se rrështimi i Kosovës me ShBA-në dhe NATO-n është parimor dhe pragmatik.
“Rreshtimi ynë me Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n është parimor dhe pragmatik. Ne vendosim sanksione kur është e nevojshme, mbështesim Ukrainën, forcojmë mbrojtjen tonë dhe ndërtojmë zhvillim të qëndrueshëm. Dallimet me Uashingtonin mund të lindin për çështje taktike, por për strategjinë dhe vlerat jemi në të njëjtën linjë. Drejtimi është i qartë: Kosova dhe Shtetet e Bashkuara janë të bashkuara në interesa dhe po përparojnë së bashku drejt qëllimeve të përbashkëta. Kosova nuk po kërkon të shihet vetëm si përfituese e mbështetjes së NATO-s dhe ShBA-së. Ne jemi një kontribues sigurie, një partner zhvillimi ose një aleat i palëkundur. Në një rajon ku ndikimi rus shfrytëzon përçarjet, Kosova qëndron fort me Shtetet e Bashkuara – në fjalë, në politika dhe në veprime”, theksoi në fund Kurti.