Shtetet e Bashkuara të Amerikës po shqyrtojnë kërkesën e Ukrainës për dërgimin e raketave me rreze të gjatë veprimi, Tomahawk, me qëllim që t’i japë shtytje sprapsjes së pushtuesve rusë, ka deklaruar të dielën -sipas kohës lokale amerikane – zëvendëspresidenti JD Vance, raporton Reuters.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i ka kërkuar SHBA-së që t’ua shesë raketat Tomahawk shteteve të ciat pastaj do t’ia dërgojnë Ukrainës. Vance ka thënë për “Fox News Sunday” se presidenti Donald Trump do të marrë “vendimin e fundit” nëse do të ketë ujdi për këtë çështje.
“Ne qartazi se po shqyrtojmë një mori kërkesash nga europianët”, ka deklaruar Vance.
Raketat Tomahawk kanë rreze veprimi prej 2.500 kilometrash, duke futur brenda rrezes së veprimit edhe Moskën, nëse Uashingtoni vendos që këto t’i jepen Kievit. Rusia padyshim se do ta shihte këtë si përshkallëzim të theksuar të luftës së saj në Ukrainë.
Trump ka hedhur poshtë kërkesat e Ukrainës për përdorimin e raketave me rreze të gjatë veprimit në të kaluarën, por ka nisur të shprehë frustrim më të madh kundrejt refuzimit të presidentit Vladimir Putin për arritjen e një marrëveshjeje të paqes.
Keith Kellogg, emisar special amerikan për Ukrainën, ka thënë se Trump ka sinjalizuar se Kievi tani duhet të jetë i aftë që të kryejë sulme me rreze të gjatë veprimi kundër Rusisë.
“Mendoj se teksa lexosh çfarë ai (Trump) ka thënë, dhe të lexosh çfarë zëvendëspresidenti Vance ka thënë… përgjigja është po. Nuk gjëra të tilla, si sanksione”, ka deklaruar Kellogg gjatë një intervistë më vonë gjatë së dielës për “Fox News”./Reuters/Kallxo.com