Ambasadori francez në Kosovë, Olivier Guerot, ka thënë se Gjykata Kushtetuese e Kosovës është institucion i respektueshëm jashtë shtetit, dhe si e tillë duhet t’i respektohen vendimet edhe brenda shtetit.
Kushtetuesja e ka pezulluar punën e Kuvendit deri në një vendim mbi kërkesën e Listës Serbe për çështjen e nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb. Kuvendi s’e ka zgjedhur nënkryetarin serb, por kryeparlamentari Dimal Basha e ka shpallur të konstituuar Kuvendin.
I pyetur për qëndrimet e pushtetit të deritashëm në këtë çështje, Guerot ka thënë se nuk dëshiron të komentojë pasi çështja është në Kushtetuese.
“Por dua të them se Kushtetuesja është institucion shumë i respektueshëm jashtë Kosovës. Ajo është pranuar si anëtare e plotë e Asociacionit Evropian të Gjykatave Kushtetueses, si dhe asaj frankofone. Për shkak se respektohet jashtë shtetit, mendoj se duhet të respektohet edhe në Kosovë. Prandaj do të përmbahem nga komentet se çka mund të thonë të tjerët, por do të këshilloja institucionet që të vazhdojnë të respektojnë pavarësinë e gjykatës. Është ndër shtyllat e Republikës së Kosovës dhe e ka përkrahjen tonë të plotë”, ka thënë ai pas debatit për “dezinformimin dhe lajmet e rreme në fushatat zgjedhore” të organizuar nga Qendra Mediale në Çagllavicë.
Duke iu referuar ngërçit politik dhe mosformimit të plotë të institucioneve, Guerot ka thënë se “është fatkeqësi që jemi në këtë situatë”, duke deklaruar se përveç Kosovës, edhe Franca është në një gjendje të njëjtë sa i përket Qeverisë.
“Edhe ne kemi një kryeministër, por nuk kemi qeveri të plotë”, ka thënë ai. “Nuk është situatë e mirë për asnjë vend e as për Kosovën. Agjencia franceze për Zhvillim ka zhvilluar disa projekte për Kosovën”.
Tutje ka thënë se bashkëpunimin e kanë nisur me kryeministrin Albin Kurti për këto projekte porse janë të gatshëm t’i vazhdojnë me cilëndo qeveri që vjen.
“Por tani kemi ngecur”, ka thënë ai duke iu referuar ngërçit politik.
I pyetur për dialogun me Serbinë, ambasadori francez se dialogu mbetet e vetmja rrugë për përparim.
“Dialogu nuk ka vdekur”, ka thënë ai. “Avokuesit e ‘dialogut të vdekur’ avokojnë për jo përparim. Dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian mbetet platforma relevante për t’u marrë me çështjet”.
Kushtetuesja i ka vendosur masë të përkohshme seancës konstituive përmes së cilës ua ka ndaluar deputetëve të ndërmarrin veprime si dhe ka ndaluar zhvillimin e ndonjë procedure për formimin e Qeverisë së re të Kosovës. Masa është vendosur në mënyrë ex officio dhe në bazë të kërkesës së deputetëve të Listës Serbe. Në fund të gushtit Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur kryetarin dhe katër nga pesë nënkryetarët, duke ndarë votimin e nënkryetarëve nga komunitetet joshumicë. Votat e mjaftueshme nuk i ka marrë asnjë nga deputetët e komunitetit serb për nënkryetar të Kuvendit e kryetari i ri Dimal Basha e ka shpallur institucionin të konstituuar. Pas këtij vendimi subjekti më i madh politik i serbëve në Kosovë, Lista Serbe, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me pretendimin se me vendimin e Bashës është shkelur Kushtetuta me ndarjen e votimit të nënkryetarëve nga komunitetet pakicë./KOHA