John Duncan, dëshmitari i tretë i mbrojtjes në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, deklaroi të hënën në Hagë se Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) e quanin “ushtria e atyre që nuk kishin asgjë”.
“Ne e quanim ushtria e atyre që nuk kishin asgjë. Ky është termi që kam përdorur atëkohë dhe kur kam shkuar në terren, kam parë njerëz që kishin një jetë normale, ata ishin civilë, doktorë, avokatë, njerëz të ndryshëm që kishin lënë punën dhe kishin marrë armët. Aspiratat e tyre nuk ishin të njëjta dhe kur negocion me këta njerëz duhet të kuptosh se cili është synimi i tyre, si kanë arritur në këtë pikë. Çfarë faktorësh i shtynë që të shkojnë në atë pikë ku ndodhen? Cilat janë interesat e tyre dhe duhet të dihen këto pjesë për të bindur njerëzit që të bëjnë gjëra të ndryshme”, tha Duncan.
Ai tha se pjesëtarët e kësaj ushtrie vinin nga shtresa të ndryshme të shoqërisë, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Motivi nuk ishte i njëjtë. Ata vinin nga shtresa të ndryshme të shoqërisë”, deklaroi Duncan.
Ai shtoi se problem tjetër i madh ishte udhëheqësia e UÇK-së, siç personifikohej nga Hashim Thaçi, mund të mos ishin në gjendje që t’i bindte ushtarët e UÇK-së lidhur me Marrëveshjen e demilitarizimit.
“Problem tjetër i madh ishe që udhëheqësia (po i zgjedh fjalët me kujdes këtu) siç personifikohej nga Hashim Thaçi, mund të mos ishin në gjendje që t’i bindin ushtarët e UÇK-së, të cilët ne nuk ishim të bindur që do të ndodhte një gjë e tillë. Po të ishim bindur që kjo do të ndodhte do të shkonim tek udhëheqësia politike e UÇK-së dhe do t’i kishim thënë se kemi nevojë për një marrëveshje të çarmatosjes dhe ta negociojmë”, tha ai.
Përveç kësaj, dëshmitari tha se nuk besonin që Thaçi do ishte në gjendje që do i bindte ushtarët.
“Ne nuk kishim besim që z. Thaçi do të ishte në gjendje që t’i bindte ushtarakët apo ushtarët”, tha ai.
Duncan tha se funksioni i Thaçit nuk e përfaqësonte realitetin dhe nuk ishte i qëndrueshëm nga pikëpamja politike.
“Nuk ishte realiste që të njihej zotin Thaçi si udhëheqës politik i Kosovës. Kishin forca politike që ekzistonin atje si LDK-ja, zoti Rugova e të tjerët. Ata mund të kishin zgjedhur atë si udhëheqës të delegacionit të Rambujesë, por ai nuk ishte atë që quhej legjitimitet politik në një shoqëri demokratike. Nuk ishte zgjedhur nga populli. Ai e kishte deklaruar një Qeveri të Përkohshme por ne ishim arritur në pikë që ne dhe NATO ta njihte si kryeministër të Kosovës. Nuk ishte një gjë realiste dhe nuk përfaqësonte realitetin dhe nuk ishte e qëndrueshme nga pikëpamja politike”, tha ai./KOHA