Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës, në një komunikatë të përbashkët, kanë bërë të ditur se me urdhër të Prokurorisë Speciale, hetuesit nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës, të premten kanë arrestuar personin me inicialet R.D, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Krim lufte kundër popullsisë civile”.
Siç bëhet e ditur, R.D., është ndaluar nën dyshimin për krime lufte kundër popullsisë civile, të kryera gjatë periudhës së luftës në Kosovë.
“Prokuroria Speciale, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, përkatësisht hetuesit nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Luftës, është duke ndërmarrë dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale dhe legjislacionin në fuqi. Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës mbeten të përkushtuara në hetimin dhe ndjekjen penale të kryerësve të këtyre veprave penale”, thuhet në njoftim.