Zëvendëskryeministri i parë në detyrë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, mori pjesë në raundin e radhës të bisedimeve të zhvilluara në Bruksel në kuadër të procesit të dialogut. Më poshtë, deklaratat dhe përgjigjet e zëvendëskryeministrit në konferencën për media të mbajtur pas takimeve, mbi detajet e diskutimeve të zhvilluara:
Pyetje: Z. Bislimi ishte edhe një takim ku nuk ndodhi asgjë siç ndodh zakonisht kur takoheni me homologun e juaj nga Beogradi.
Përgjigje: Ideja sot ishte që të kemi fillimisht progres në themelimin e Komisionit të Përbashkët për personat e zhdukur me forcë dhe pastaj në pjesën tjetër të kemi një takim ku palët, Kosova dhe Serbia, japin propozime konkrete sipas të cilave pastaj versioni i 10-të i planit të sekuencimit do të mund të bëhej si një plan i pranueshëm për palët. Në pikën e parë, fatkeqësisht nuk arritëm që ta kryejmë misionin tonë, pra themelimin e Komisionit për personat e pagjetur, për arsye se me gjasë Serbia është tërhequr nga marrëveshja për termat e referencës të cilën e kemi përfunduar në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, duke thënë se ata duan që edhe njëherë të ndërhyjnë në dokument, gjë që nuk është pranuar as nga Brukseli as nga pala jonë. Këtu kemi parë pak a shumë edhe njëfarë mos harmonie në ekipin serb, ku si duket dikush ka dashur që ne sot ta themelojmë (komisionin) por pjesa tjetër ka bllokuar.
Ndërkaq, te pjesa e dytë ku palët është dashur të japin propozime konkrete në atë se si plani i 10-të i sekuencimit do mund të bëhej i pranueshëm, në mënyrë që të ecim tutje me zbatimin e Marrëveshjes Bazike, Kosova dha tri propozimet e veta, këto propozime i kishim bërë me sigurimin që nenet 1 deri në 4 të jenë të përfshira të Marrëveshjes Bazike, sepse kështu garantohet plotësimi i një neni të aneksit që thotë se palët dakordohen apo përkushtohen për zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazike. Kemi kërkuar që obligimi i Serbisë për të mos e bllokuar anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare të zhvendoset nga fundi i planit në krye të planit dhe kemi kërkuar që përmes gjuhës më precize të eliminohet çfarëdo mundësie për ambiguitet apo dykuptimësi nga ana e palëve. Ndërkohë që Serbia ka refuzu të japë propozime konkrete, por pozicioni i Serbisë mund të përkthehet si, shumë thjesht, së pari asociacioni, pra parakusht, e pastaj vijat e kuqe të Serbisë, që nënkupton në fakt që Serbia është tërhequr nga Marrëveshja Bazike ose refuzon të diskutojë Marrëveshjen Bazike. Pas kësaj ne kemi kaluar në pikën e dytë të agjendës, ku nga palët është kërkuar që të nxjerrin tri tema të cilat mendojnë se duhet të adresohen. Ne kemi filluar me temën e Luginës së Preshevës, ku kemi problemin e bllokimit të shpërndarjes së mjeteve për fermerët në Luginën e Preshevës, dhe në këtë moment pala serbe e ka ndërpre diskutimin sepse ata mendojnë që ne nuk duhet të kujdesemi për fermerët në Luginë dhe nuk duhet të sigurojmë që ata i marrin këto fonde.
Pyetje: A ka patur ndonjë përparim ndoshta për çështjen e të pagjeturve, pas nisjes së gërmimeve në afërsi të Novi Pazarit ditëve të fundit?
Përgjigje: Në fakt palët që në vitin 2024 janë dakordu për obligime që merr si Kosova ashtu edhe Serbia, përderisa Kosova ka përmbushur pothuajse të gjitha obligimet e marra, Serbia ka patur zero progres në vitin 2024, dhe i gjithë kompromisi i tyre ka qenë që lista e obligimeve të tyre për vitin 2024, të kalojë si obligime të vitit 2025, por edhe në këtë nuk ka patur fare progres. Ajo që ka ndodhur është që në korrik dhe gusht të këtij viti ka patur ngjarje të mëdha bash në territorin ku është dashur të ketë gërmime dhe ne dyshojmë se këto janë bërë me qëllim të zhdukjes së dëshmive dhe vetëm para dy-tri ditëve ata kanë tregu gatishmëri që të fillojnë gërmimet në Kozhle në regjionin e Novi Pazarit. Por progres tjetër nuk ka patur.
Pyetje: Disa parti politike në Kosovë po e kontestojnë legjitimitetin se jeni në këtë takim. Si ju përgjigjeni në këtë?
Përgjigje: Pak është interesant që ky budallëk ka mbërrit edhe në Bruksel. Unë jam zëvendëskryeministër në detyrë i Qeverisë së Republikës së Kosovës, i ngarkuar mes tjerash edhe me temën e dialogut. Mandatin ma ka dhënë qeveria e mund të ma marrë qeveria. Nuk ma ka dhënë Lidhja Demokratike e Kosovës, as nuk mund të ma marrë Lidhja Demokratike e Kosovës, andaj gjithçka tjetër është e palogjikshme ngjashëm me shumicën e qëndrimeve të këtij subjekti politik dhe subjekteve të tjera që po hasim në muajt e fundit.
Pyetje: Z. Bislimi çështja e statutit të komisionit të pagjeturve ishte një nga dritat në tunelin për procesin e dialogut. Sot edhe kjo dështoi, i bie që Serbia po e braktis edhe këtë. Thoni se në bazë të qëndrimeve të Petkoviqit Serbia edhe formalisht po e braktis edhe marrëveshjen e arritur në Ohër në vitin 2023. Atëherë ku jemi me këtë proces maratonik që quhet dialog, a ja vlen më të vihet në Bruksel për takime?
Përgjigje: Me rëndësi është që sot, më qartë se asnjëherë më parë, Serbia i ekspozoi qëndrimet e veta edhe karshi Marrëveshjes Bazike por edhe karshi Komisionit të Përbashkët për personat e pagjetur, gjithnjë në ombrellën e “konstruktivitetit” të tyre dhe “ndershmërisë”, do të thotë konstruktiviteti dhe ndershmëria e Serbisë përkthehet në moslejim të themelimit të Komisionit të Përbashkët dhe në vendosje të parakushteve dhe të linjave të kuqe për zbatimin e Marrëveshjes Bazike. Mendoj që është shumë me rëndësi që ky mesazh, në mënyrë korrekte të transmetohet dhe te vendet anëtare në mënyrë që ato ta kuptojnë se kush ka qenë në fakt bllokues i progresit në dialog që nga momenti i 18 marsit 2023.
- Reklama -
Bislimi mori pjesë në raundin e radhës të bisedimeve në Bruksel në kuadër të procesit të dialogut

- Reklama -
Klikoni Këtu për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.