Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, së bashku me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti dhe kryetarin e Kuvendit, Dimal Basha, me rastin e 24-vjetorit të sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në SHBA, nderuan me homazhe viktimat e kësaj tragjedie.
Në një postim në Facebook, Osmani e cilësoi këtë ngjarje si dëshmi e forcës së bashkuar të botës demokratike, duke shtuar se “Kosova qëndron krah për krah me popullin amerikan, sot, nesër dhe gjithmonë, në mbrojtje të paqes dhe një të ardhmeje më të mirë për brezat që vijnë”.
“11 shtatori i vitit 2001 është plagë dhe kujtesë e dhimbjes së pamatshme, por edhe dëshmi e forcës së bashkuar të botës demokratike. Në 24-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në SHBA, nderojmë kujtimin e rreth 3 mijë jetëve të pafajshme të humbura dhe dhimbjen e familjeve të tyre. Ato orë të errëta e ndryshuan përgjithmonë historinë, por nuk arritën ta thyejnë shpirtin e lirisë. Nga hiri i tragjedisë lindi një solidaritet i pathyeshëm, një vendosmëri nga e cila terrori kurrë nuk do të triumfojë mbi lirinë dhe dinjitetin njerëzor. Në këtë ditë që na rikujton brishtësinë e paqes, Kosova qëndron krah për krah me popullin amerikan, sot, nesër dhe gjithmonë, në mbrojtje të paqes dhe një të ardhmeje më të mirë për brezat që vijnë”, ka shkruar e para e vendit.