Polonia ka ngritur në ajër mbrojtjet e saj ajrore dhe të NATO-s për të rrëzuar dronë në hapësirën e saj ajrore të mërkurën pas një sulmi ajror rus ndaj Ukrainës, duke shënuar herën e parë që Varshava përfshihet në luftën e vendit të saj fqinj.
Polonia e ka quajtur shkeljen një akt agresioni.
Kryeministri polak, Donald Tusk, ka thënë se operacionet janë duke vazhduar dhe se ai është në “kontakt të vazhdueshëm” me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte.
Tusk ka thirrur një takim urgjent të këshillit të ministrave në orën 8:00 të mëngjesit, ka bërë të ditur një zëdhënës i qeverisë.
Komanda ushtarake e Polonisë ka thënë se dronët shkelën vazhdimisht hapësirën ajrore polake gjatë sulmit rus përtej kufirit, në Ukrainën perëndimore, raporton Reuters.
Radarët gjurmuan më shumë se 10 objekte dhe ato që mund të përbënin një kërcënim u “neutralizuan”, ka thënë komanda.
“Disa nga dronët që hynë në hapësirën tonë ajrore u rrëzuan. Kërkimet dhe përpjekjet për të gjetur vendet e mundshme të rrëzimit të këtyre objekteve janë duke vazhduar”, ka thënë ajo në një deklaratë.
Aeroporti Chopin në Varshavë, më i madhi i vendit, njoftoi se hapësira e tij ajrore është mbyllur për shkak të veprimeve ushtarake.
Pjesa më e madhe e Ukrainës, duke përfshirë rajonet perëndimore të Volyn dhe Lviv që kufizohen me Poloninë, kanë qenë nën alarme për sulme ajrore për pothuajse gjithë natën, sipas forcave ajrore të Ukrainës./KOHA/