Të shtunën në mbrëmje një stuhi e fuqishme goditi disa pjesë të Kroacisë, ndërsa skenat më dramatike u panë në Karlobag, ku rrugët u përmbytën tërësisht, të shoqëruara me erëra të forta dhe reshje të dendura shiu.
Qytetarët mezi arritën të strehoheshin, ndërsa dallgët e shiut krijuan pamje kaotike.
Instituti Shtetëror Hidrometeorologjik (DHMZ) ka lëshuar një paralajmërim të kuq për rajonet e Zagrebit, Karlovacit dhe Rijekas, ndërsa pjesa tjetër e vendit është nën paralajmërim portokalli. Sipas DHMZ-së, një ciklon në shtresat e larta të atmosferës dhe depërtimi i ajrit të lagësht e të paqëndrueshëm po krijojnë kushte për stuhi të forta, reshje intensive, breshër dhe rënie të menjëhershme të temperaturave.
Përveç Karlobagut, stuhia goditi edhe Istrian, ishujt e Kvarnerit, disa pjesë të Dalmacisë Qendrore si dhe qytetin e Karlovacit.