Në kuadër të aktiviteteve në shënim të Ditës Përkujtimore të Policëve të Rënë në Detyrë, kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zëvendëskryeministrja në detyrë dhe ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, bashkë me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, bënë homazhe te varri i rreshterit policor, heroit të Kosovës, Afrim Bujnaku, në fshatin Samadrexhë, në Vushtrri.
“Afrim Bunjaku kishte gradën rreshter në Policinë e Kosovës, por sot ai ka gradën Hero i Kosovës. Grada Hero është grada më e lartë që mund ta ketë një qytetar i Republikës dhe një zyrtar i shtetit. Njëkohësisht është e vetmja gradë nga e cila nuk mund të degradohesh. Prandaj, Heroi i Kosovës, Afrim Bunjaku, sot kujtohet nga mbarë populli ynë, nga secili zyrtar i shtetit, në nderim e në kujtim të flijimit të tij për Republikën e Kosovës, integritetin territorial dhe sovranitetin e shtetit”, u shpreh kryeministri Kurti, njofton ZKM.
Pas homazheve, ai së bashku me anëtarët e kabinetit qeveritar dhe drejtori i Policisë u mirëpritën nga familja Bunjaku në shtëpinë e tyre.
Afrim Bunjaku ra në krye të detyrës më 24 shtator 2023 në Banjskë të Zveçanit, në ballafaqim me grupet paramilitare dhe terroriste të Serbisë, në mbrojtje të sovranitetit, kushtetutshmërisë, sigurisë dhe paqes.