Ka përfunduar seanca dëgjimore në rastin e policit të arrestuar për dyshimin për spiunazh, Bojan Jevtiq.
Prokurori special, Bekim Kodraliu tha se në bazë të provave të mjaftueshme kanë kërkuar masën e paraburgimit.
“Sot Prokuroria Speciale e Kosovës ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit Bojan Jevtiq, një zyrtar policor i dyshuar për veprën penale të spiunazhit. Po ashtu, siç keni qenë të njoftuar edhe dje Prokuroria Speciale ka ndërmarrë një aksion të gjerë në komunën e Kamenicës, respektivisht në shtëpinë e të pandehurit Bojan Jevtiq dhe objekte përcjellëse ku kemi siguruar prova të mjaftueshme materiale dhe personale e në bazë të të cilave kemi vërtetuar fuqishëm dyshimin e bazuar se i njëjti është duke u marrë me aktivitet të kundërligjshëm, aktivitet i cili cenon rendin juridik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës, zyrtarë e saj dhe qytetarëve të saj. Andaj kemi konsideruar se sot duhet të paraqesim masën e paraburgimit”, tha ai.
Prokurori special tha se nga provat që do të ekzaminohen do te vlerësohet nëse do të zgjerohen hetimet edhe për personat tjerë, raporton KosovaPress.
“Janë dokumente konfidenciale të lëshuara nga Policia e Kosovës, të cilat kanë të bëjnë me sigurinë e rendit juridik dhe qytetarëve të saj, për momentin dhe për shkak të hetimeve që jemi duke zhvilluar, por në fazën mëtutjeshme do të njoftojeni për provat dhe materialet. Nga provat e siguruara dje kemi gjetur një armë të shkurtër pa autorizim të të pandehurit, një sasi të municionit, monedha, respektivisht një shumë të caktuar të parave të cilat ne dyshojmë qe i pandehuri i ka përfituar duke kryer veprat penale… janë 2 milionë dinarë serbë, 10 mijë dhe 600 franga të cilat deri më tani i pandehuri deri më tani nuk ka mundur t’i justifikojë, të cilat ne konsiderojmë se janë rezultat i veprës penale të spiunazhit”, tha ai.
Avokati i Bojan Jevtiq, Millosh Nikoliq pas seancës dëgjimore ka thënë se ende nuk është marrë vendimi dhe se një gjë e tillë pritet të merret pas disa orësh.
“Bojan Jevtiq është pjesëtar i Policisë së Kosovës, është në shërbim që nga viti 2002. Aktualisht ndaj tij po zhvillohet një hetim për veprën penale të spiunazhit. Ajo që është me rëndësi, sot i kemi paraqitur argumentet në favor të tij sa i përket kërkesës për caktimin e paraburgimit. Kjo ka të bëjë me faktin se ai do të jetë i qasshëm për organet deri në përfundim të procedurës, se do t’i përgjigjet çdo thirrjeje. Dhe në këtë qëllim kemi ofruar masën e garancisë në shumën prej 15.000 eurosh. Pra, ai do të bashkëpunojë me organet. Vendimi për paraburgimin ende nuk është marrë. Do të merret për dy orë, për çka do t’ju njoftojmë”, tha ai.
Ai tha se nuk ka qasje në prova, pasi sipas tij nuk janë dorëzuar ende shkresat. Ndërsa vëllai i policit të arrestuar, Lubisha Jevtiq beson se në pafajësinë e Jevtiq.
“Mendoj se vëllai im është ndaluar pa asnjë bazë dhe se është njeri i ndershëm, që e ka kryer punën e tij me ndershmëri. Është baba i tre fëmijëve të mitur, të cilët i mban me atë pagë. Pra, punon në Policinë e Kosovës prej 23 vjetësh, pa asnjë njollë, pa asnjë problem. Dhe mendoj se nuk do të ketë proces, se ai do të lirohet”, tha ai.
Gjatë ditës së djeshme, Prokuroria Speciale pas operacionit të zhvilluar në bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë kanë njoftuar se kanë arrestuar togerin policor nën dyshimin për spiunazh.
KosovaPress ka raportuar dje se të njëjtit i janë gjetur dokumente të Shoqatës Ndërkombëtare të Policisë (IPA), pjesë e së cilës nuk është Kosovës.
Burime të KosovaPress-it kanë thënë se i njëjti dyshohet se ka transmetuar plane operative të ndjeshme që lidhen me sigurinë kufitare.
Bojan Jevtiq, u arrestua të enjten gjatë aksionit të përbashkët të autoriteteve të Kosovës te Dheu i Bardhë, nën dyshimet për veprimtari spiunazhi për llogari te BIA-s serbe. /KP/