Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ka emëruar Yulia Svyrydenko, 39 vjeçe, si kryeministren e re të vendit, në kuadër të reformimit më të thellë të kabinetit që nga shpërthimi i luftës në vitin 2022.
Zëvendësimi i Denys Shmyhal – që udhëhoqi qeverinë që nga viti 2020 – është pjesë e një ndryshimi të plotë të qeverisë ukrainase, i konsideruar më i rëndësishmi në periudhën e luftës.
Shmyhal do të marrë tani postin e ministrit të Mbrojtjes, një dikaster që është përballur me akuza për korrupsion vitet e fundit. Emërimi i tij vjen si pjesë e një strategjie të re, ku prioritet do të jetë rritja e prodhimit të armëve brenda vendit dhe mbulimi i të paktën 50 për qind të nevojave të ushtrisë nga industria ushtarake vendore.
Në deklaratën e saj të parë si kryeministre, Svyrydenko premtoi të përqendrohet në forcimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe në rimëkëmbjen ekonomike.
“Qeveria jonë synon një Ukrainë që mbështetet në themelet e saj ushtarake, ekonomike dhe sociale. Prioriteti im është të sjell rezultate konkrete që qytetarët t’i ndiejnë në jetën e përditshme. Lufta nuk lë hapësirë për vonesa. Ne duhet të veprojmë me vendosmëri,” shkroi ajo në rrjetet sociale.
Ndërkohë, në kuadër të ristrukturimit, ministrja e deritanishme e Drejtësisë dhe Integrimit Evropian, Olga Stefanishyna, është emëruar ambasadore e Ukrainës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në pritje të miratimit nga Uashingtoni.
Ministri i Jashtëm, Andrii Sybiha, do të qëndrojë në detyrë, ndërsa dy zëvendësministra – Oleksiy Sobolev dhe Taras Kachka – janë caktuar në krye të ministrive të Ekonomisë, Mjedisit dhe Bujqësisë, si dhe në postin e zëvendëskryeministrit për integrimin evropian.
Gjithashtu, Mykhailo Fedorov, ministri i Transformimit Dixhital, është emëruar zëvendëskryeministër i parë për teknologji dhe inovacion.
Ky riorganizim u perceptua si përpjekje për të forcuar funksionimin e qeverisë në kohë lufte dhe për të fuqizuar kapacitetet kombëtare të mbrojtjes dhe zhvillimit ekonomik, por kritikët kanë shprehur shqetësime se ndryshimet janë më tepër kozmetike sesa substanciale, dhe se presidenti Zelenskyy po konsolidon pushtetin duke emëruar figura të afërta me të në pozitat kyçe të shtetit.