Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit për 30 ditë ndaj zyrtarit doganor pasi ai ka keqpërdorur pozitën e tij.
Sipas kërkesës së prokurorisë, më 16 korrik në pikën kufitare në Vermicë zyrtari edhe pse e ka pasur detyrim ta ndalë dhe ta kontrollojë veturën, këtë gjë nuk e ka bërë. Në njoftimin e Prokurorisë shpjegohet se zyrtari e ka lejuar personin që të kalojë pa kontroll kufirin, e më pas njësia antikontrabandë e ka zënë në drejtim të Prizrenit me mall të padeklaruar.
Sipas prokurorisë, malli i gjetur në veturën e personit ka vlerë mbi 11 mijë euro, ndërsa detyrimi doganor do të ishte mbi 3 mijë euro.
“… i njëjti me qëllim nuk e hap bagazhin e veturës dhe nuk bënë kontrollimin, në atë mënyrë që automjeti- furgoni i markës ‘Mercedes Sprinter 316 CDI’, të cilën e drejtonte A.K., hynë në pikën kufitare dhe e parkon automjetin në kabinën nr.6, dhe fillon të komunikojë me të pandehurin, të cilit ia jep një letër dhe pastaj kthehet për të marr dokumentet dhe futet deri tek dera e kabinës ku ishte duke punuar i pandehuri I.K., dhe pas bisedës së shkurtër, të cilët duke qenë në dijeni se brenda kabinave ka video incizim me audio, të dy dalin jashtë dhe bisedojnë edhe disa sekonda, pastaj drejtuesi i furgonit A.K., largohet me furgon duke mos u kontrolluar fare, ndërsa i pandehuri I.K., në të dhënat ‘SEED’, regjistron se furgoni i lartpërmendur është i zbrazët, ku pastaj furgoni lëviz në rrugën e vjetër afër pikë kalimit kufitar në Vërmicë – Prizren, saktësisht afër një Restauranti duke lëvizur në drejtim te Prizrenit ndalet nga njësia për antikontrabandë të cilët kanë sinjalizuar automjetin në fjalë duke përdorur dritat rotative dhe borinë, dhe pas kontrollimit të automjetit rezulton të jetë i ngarkuar me mall komercial patika te ndryshme sportive në vlerë prej 11,457.60 €, duke ju shmangur detyrimeve doganore në vlerë prej 3,414.36 €, me të cilat veprime i pandehuri në vlerën e cekur prej 3,414.36 €, ka dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.