Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren ka njoftuar se përmes Njësisë Rajonale të Komunikacionit Rrugor dhe stacioneve policore në kuadër të saj, ka vazhduar me intensitet të shtuar aktivitetet për ofrimin e sigurisë në trafik në zonën e përgjegjësisë që përfshin katër komuna: Prizren, Dragash, Suharekë dhe Mamushë.
“Gjatë periudhës 07.07.2025 – 13.07.2025 janë shqiptuar gjithsej 2640 gjoba për kundërvajtje në trafik, si rezultat i shkeljeve të Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor si dhe janë vendosur pika të shumta kontrolli në rrugët kryesore dhe dytësore, me qëllim të rritjes së prezencës policore në terren dhe parandalimit të aksidenteve. Policia e Kosovës në rajonin e Prizrenit mbetet e përkushtuar në garantimin e sigurisë për të gjithë pjesëmarrësit në trafik, me fokus të veçantë në parandalimin e aksidenteve me pasoja fatale”, shkruan në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Tutje, Policia ka apeluar te qytetarët që të respektojnë rregullat e komunikacionit dhe të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës për një ambient më të sigurt për të gjithë.