Rrjedha e lumenjve në Kosovë aktualisht është nën mesataren e tyre.
Kjo sipas institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK) është si pasojë e mungesës së reshjeve.
“Sipas matjeve dhe monitorimeve hidrologjike nga rrjeti shtetëror hidrometrik, aktualisht lumenjtë në Kosovë, kanë rrjedha nën mesataret e tyre. Kjo si pasojë e deficitit të reshjeve sidomos gjatë muajve të pranverës dhe mungesës së borës dhe qëndrueshmërisë së sajë gjatë dimrit”, thuhet në një njoftim të IHMK-së.
Sipas njoftimit edhe pse ka pasur reshje, ato kanë qenë në formë të rrebesheve të shiut dhe lokale, të cilat shpejt janë larguar nga pellgjet.
Sipas IHMK-së situata e njëjtë është në shumicën e lumenjve, por më e rënduar është në lumin Drini i Bardhë.