Sot do të jetë përpjekja e 21-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Vazhdimi i seancës konstituive do të nisë nga ora 11:00.
Seanca e parë konstituive ishte mbajtur më 15 prill. Seancat e fundit janë duke dështuar në mungesë të kuorumit për formimin e Komisionit për votim të fshehtë të kryeparlamentarit.
Vetëvendosja ka propozuar Albulena Haxhiun për kryeparlamentare, porse në gjashtë tentativa nuk i ka siguruar votat e nevojshme. Kjo parti nuk ka hequr dorë nga propozimi dhe ka shprehur qëndrimin se votat do të sigurohen, nëpërmjet votimit të fshehtë.
Shefja e diplomacisë evropiane Kaja Kallas, në vizitën e saj të parë në Kosovë këtë javë, u bëri thirrje liderëve politikë të arrijnë zgjidhje për dalje nga ngërçi i krijuar politik dhe ecjen përpara të vendit.