Sot deputetët pritet të mblidhen nga ora 11:00 për të vazhdimin e 20 me radhë, në përpjekje për të përfunduar konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Në 11 përpjekjet e fundit seanca dështoi te pika e njëjtë – propozimi i kryesuesit Avni Dehari, që nga votimi i hapur të kalohet në atë të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit.
Të mërkurën, PDK-ja, LDK-ja, Lista Serbe dhe AAK-ja nuk propozuan anëtarë për komisionin për votim të fshehtë e as nuk morën pjesë në votim.
Për pasojë mungoi kuorumi, seanca u ndërpre dhe vazhdimi u caktua për të premten, sot.
Pushtet e opozitë të mandatit të shkuar, që as prej më shumë se një muaji nuk kanë arritur ta konstituojnë Kuvendin, vazhdojnë ta hedhin përgjegjësinë tek njëri-tjetri për mosfunksionalizimin e institucioneve.
Partitë deri tash në opozitë, që e kundërshtojnë votimin e fshehtë deklarativisht por jo edhe me votë, thonë se përgjegjësia për zhbllokim i takon partisë fituese.
Por përfaqësues të LVV-së, ani se nuk i kanë numrat, kanë vazhduar të përsërisin se e drejta për propozimin e kandidatit për kryetar Kuvendi i takon vetëm partisë fituese.