Sot, në varrezat e qytetit të Prizrenit, i jepet lamtumira e fundit 19-vjeçares Dilge Nanovqe, e cila humbi jetën tragjikisht në një aksident trafiku të ndodhur të dielën në orët e para të mëngjesit, në afërsi të fshatit Pouskë.
Sipas informacioneve zyrtare, e reja ishte duke drejtuar një veturë të tipit Opel, kur në një kthesë të mprehtë prej 180 gradësh, për shkak të mospërshtatjes së shpejtësisë me kushtet e rrugës, ka humbur kontrollin mbi automjetin, duke përfunduar në aksident fatal.
Në automjet ndodheshin edhe dy pasagjerë, F.G. (27 vjeç) dhe E.T. (25 vjeç), të cilët pësuan lëndime trupore. Të dy u dërguan fillimisht në Spitalin Rajonal të Prizrenit, ndërsa E.T., pas trajtimit fillestar, u transferua në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë për kujdes të specializuar.
Familjarët e të ndjerës kanë njoftuar se ceremonia e varrimit do të zhvillohet sot, në ora 16:30, në kohën e namazit të Iqindisë, në varrezat e qytetit të Prizrenit.