Një aksident i rëndë ka ndodhur këtë të diel në fshatin Pouskë të Prizrenit, ku një 19-vjeçare ka humbur jetën, ndërsa dy persona të tjerë, një 25-vjeçar dhe një 27-vjeçar, kanë pësuar lëndime.
Shefi i Emergjencës së Prizrenit, Hekuran Veçgishti, ka bërë të ditur për Sinjalin se njëri prej të lënduarve, pas trajtimit, është liruar për në shtëpi, ndërsa tjetri është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim të mëtejshëm për shkak të lëndimeve të rënda.
“Kanë ardhur dy të lënduar, njëri prej tyre është liruar në shtëpi, tjetri për shkak të lëndimeve më të mëdha që i ka pasur është transferuar në QKUK për trajtim të mëtejmë”, është shprehur Veçgishti për Sinjalin.
Ndërsa, drejtori i Emergjencës në QKUK, Naser Syla, ka bërë me dije se gjendja e tij është shumë serioze dhe po vazhdon trajtimi me aparat për frymëmarrje të asistuar në Mjekësinë Intensive.
“I kemi kryer të gjitha ekzaminimet e duhura. Gjendja është e rëndë, është me aparat me frymëmarrje të asistuar. Trajtimin do ta vazhdojë në MIQ”, deklaroi Syla për Sinjalin.