Sonte zhvillohet finalja e Eurovizionit, ku Shkodra Elektronike do të performojë e fundit duke përfaqësuar Shqipërinë me këngën “Zjerm”.
Me këtë rast, presidentja Vjosa Osmani, u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që ta përkrahin këtë “krijim që sjell një rrëfim të fuqishëm e kuptimplotë” sipas saj.
Ajo ka ftuar të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen të votojnë sonte Shqipërinë me numrin 26.
“Sonte, edhe Kosova shndrit me Shkodrën Elektronike! Edhe pse Kosova ende nuk merr pjesë në Eurovizion, sonte të gjithë shqiptarët përfaqësohen denjësisht nga Shkodra Elektronike dhe shikuesit nga vendi ynë kanë të drejtë të votojnë si pjesë e votës së publikut. Një krijim që sjell një rrëfim të fuqishëm e kuptimplotë, meriton përkrahjen tonë në Kosovë, në mërgatë e kudo ku ka shqiptarë. Të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen: Votoni Shqipërinë dhe numrin 26. Fitore për Zjerm!”, ka shkruar e para e vendit.