Në qytetin e Prizrenit, në ambientet e Shtëpisë së Kulturës, u mbajt promovimi i librit më të ri të shkrimtarit të njohur nga Durrës, Kadri Tarelli, me titullin intrigues “Filxhani me buzë të kafshuar”.
Ky aktivitet kulturor u organizua nga Shoqata për Kulturë dhe Art “Fidani” të cilin e moderoi Suela Krasniqi. Të pranishëm në këtë ngjarje ishin dashamirës të librit, intelektualë, artistë dhe përfaqësues të jetës kulturore nga Shqipëria dhe Kosova.
Kadri Tarelli, me një përvojë të gjatë si pedagog, publicist dhe shkrimtar, solli para publikut një përmbledhje prej 52 tregimesh që pasqyrojnë dashurinë për jetën, për njeriun e thjeshtë dhe për atdheun. Gjuha e thjeshtë, por plot ndjeshmëri, dhe stili rrëfimtar që buron nga përvoja dhe përkushtimi, e bëjnë këtë libër një pasuri për letërsinë shqipe.
Në fjalën e tij, editori i shtëpisë botuese “Fidani”, Berat Batiu, theksoi se libri është një rrëfim i gjallë dhe njerëzor, që flet me zemrën e lexuesit. Kumtesa letrare për veprën u mbajt nga zonja Merita Kuçi, ndërsa fragmente nga libri u lexuan nga pedagogia nga Durrësi, Zemrite Hereni. Po ashtu, zoti Ali Balliu shprehu mirënjohjen për autorin dhe veçoritë e stilit të tij krijues.
Pjesë e promovimit ishin edhe interpretimet muzikore të nxënëses Andrra Burri, e cila u mirëprit me duartrokitje nga të pranishmit.
Autori i librit “Filxhani me buzë të kafshuar”, Kadri Tarelli, në fjalën e tij për të pranishmit, ndau me publikun emocionet, frymëzimin dhe mesazhet që ka dashur të përcjellë përmes këtij libri të ri. Ai gjithashtu shprehu ndjenjën e krenarisë për këtë pritje të ngrohtë në Prizren, duke theksuar: “Kam nderin që pas promovimit në Durrës, ky promovim në Kosovë mbetet një nga çastet më të lumtura të jetës sime.”
Ky promovim ishte një dëshmi se fjala shqipe dhe krijimtaria letrare mbeten ura të fuqishme që lidhin zemrat dhe mendjet e të gjithë shqiptarëve, kudo që ndodhen.