Lidhja Demokratike e Kosovës ka propozuar qeveri të transicionit me të gjitha partitë shqiptare. Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në një konferencë për media ka bërë të ditur se refuzon takim me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurit.
Ai ka propozuar qeveri të transicionit deri në kohën e presidentit.
“Kam marrë një letër nga kryetari i VV-së dhe i nxitur nga konsiderata për votuesit e VV-së, kam ndjerë nevojën që t’i përsëris qëndrimet dhe bindjet tona mbi çështjet që janë ngritur mbi atë. LDK-ja duke parë stagnimin 4-vjeçar, e kam fjalën për aleancat e rrezikuara, rrezikimin e sigurisë nacionale… E kam vlerësuar të pamundur bashkëpunimin me z.Kurti. Por sot vendi është në krizë të thellë institucionale. Dhe zgjidhjen nga kjo bllokadë LDK-ja e konsideron të domosdoshme. Propozojmë nisjen e një procesi të ri politik. Në përputhshmëri me këtë LDK-ja propozon nisjen e këtij procesi me të gjitha partitë për nisjen e një qeverie nacionale të transicionit”, ka deklaruar ai. “Letra e ardhur dje në zyrat e LDK-së është shqyrtuar… Po kthehemi për një momentum të ri politik. I ftoj të gjitha partitë që të jemi bashkë të ofrojmë zgjidhje”.
Abdixhiku ka thënë se është i gatshëm për takime me liderë partiakë në momentin e parë që ata duan.
“Të ulemi në tavolinë të flasim. Le të nisim një proces që nis zhbllokimin e procesit brenda një afati të shkurtër. Duhet një kryeministër unifikues, me një kabinet ministrash unifikues”, ka thënë Abdixhiku.
Kryetari i VV-së, Albin Kurti, një ditë më parë i çoi ftesë Lumir Abdixhikut të LDK-së për takim për të diskutuar për një marrëveshje për bashkëqeverisje.