Komandanti i KFOR-it, italiani Enrico Barduani, në dhjetorin e vitit 2024, ka thënë se ministri i Mbrojtjes së Qeverisë Kurti, Ejup Maqedonci, ka dhënë një rizotim të shkruar për KFOR-in për respektimin e marrëveshjes së vitit 2013 në mes të NATO-s dhe Republikës së Kosovës për dërgimin e ushtrisë së Kosovës në veri të vendit.
“Ky zotim më është konfirmuar, së fundi me shkrim nga ministri Ejup Maqedonci”, ka deklaruar Komandanti i KFOR-it, Enrico Barduani më 12 dhjetor 2024 në intervistë për televizionin publik.
Lidhur me këtë çështje kanë folur nga KFOR , duke mos dhënë detaje të hollësishme, por duke konfirmuar se ka një rizotim me shkrim të kohëve të fundit nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
Në përgjigjen e KFOR-it është thënë se në bazë të Marrëveshjes NATO-Kosovë të vitit 2013, çdo vendosje e Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK) në veri të Kosovës kërkon autorizimin paraprak nga komandanti i KFOR-it.
“Ne e mirëpresim respektimin e vazhdueshëm të Kosovës dhe rizotimin me shkrim të kohëve të fundit, që pasqyron dialogun e rregullt të KFOR-it me përfaqësues të organizatave të sigurisë në Kosovës, përfshirë edhe zotin Maqedonci. Komunikimi transparent dhe koordinimi me kohë është çelës për sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitetin rajonal”, është thënë në përgjigjen e KFOR për Nacionale.
FSK-ja nuk mund të shkojë apo të vendoset në veri bazuar në një letër-shkëmbim të vitit 2013, në mes të kryeministrit të atëhershëm të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe shefit të atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen. Në këtë letër-shkëmbim, Thaçi i ka garantuar NATO-s se FSK-ja do të ndërmarrë misione në veri të Kosovës vetëm në bashkëveprim me KFOR-in. Për këtë zotim kryeministri aktual Albin Kurti në shumë raste e ka kritikuar Thaçin dhe duke e quajtur si zanafilla e problemeve në veri.
“Nuk e kuptoj pse e ka bërë Hashim Thaçi…ushtria jonë u nda gjeografikisht: këtu bën, këtu s’bën…kjo është më së keqi për ushtrinë”, ka thë Kurti në një intervistë së fundmi.