Lista Serbe ka thënë se shpërthimi në kanalin e Ibër-Lepencit të premten vonë është kundër interesave të popullit serb.
Ata kanë kërkuar hetim të menjëhershëm nga KFOR-i dhe EULEX-i.
”Lista Serbe dënon ashpër shpërthimin në kanalin Ibër-Lepencë në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut. Ky sulm ka rrezikuar furnizimin me ujë të qytetarëve tanë dhe ka shkaktuar shqetësim për serbët në veri të Kosovës. Duam të theksojmë qartë se ky akt është absolutisht në kundërshtim me interesat e popullit serb dhe kërkojmë nga KFOR-i dhe EULEX-i hetim të menjëhershëm lidhur me këtë rast”, thuhet në reagimin e Listës Serbe.
Në orët e vona të së premtes, një shpërthim dëmtoi kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin-Potok. Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” ka njoftuar se ka ndërprerë furnizimin me ujë.
Në dy ditët e fundit, në veri pati disa incidente të tjera. Në Zveçan u gjuajtën bomba në stacionin policor dhe në oborrin e komunës.
Për këtë, Policia të premten njoftoi se ka rritur masat e sigurisë në të gjithë vendin./KOHA/