Gjatë ditës së sotme, Rektori i Universitetit të Prizrenit, Prof. Asoc. Dr. Mentor Alishani, dhe Prof. Dr. Sven Tode Rektor i Hochschule Flensburg kanë nënshkruar një memorandum të rëndësishëm të bashkëpunimit me Hochschule Flensburg – Flensburg University of Applied Sciences.
Memorandumi u nënshkrua në ambientet e universitetit nga Rektori i Universitetit të Prizrenit, Prof. Asoc. Dr. Mentor Alishani, dhe Prof. Dr. Sven Tode Rektor i Hochschule Flensburg. Kjo marrëveshje bashkëpunimi shënon një hap të rëndësishëm për të zgjeruar dhe forcuar lidhjet akademike ndërkombëtare, duke ofruar mundësi të reja për studentët dhe stafin akademik të të dyja institucioneve.
Bashkëpunimi përfshin një gamë të gjerë fushash, duke përfshirë shkëmbimin e studentëve dhe profesorëve, projekte të përbashkëta kërkimore, seminare dhe konferenca shkencore, si dhe zhvillimin e programeve të përbashkëta akademike. Gjatë ceremonisë, Rektori Alishani vuri në dukje rëndësinë e këtij bashkëpunimi për zhvillimin e cilësisë së arsimit dhe kërkimit në universitet.
“Ky memorandum është një mundësi e shkëlqyer për studentët tanë që të përjetojnë një eksperiencë ndërkombëtare dhe të përfitojnë nga mundësitë akademike globale. Shkëmbimet dhe bashkëpunimet e tilla janë të rëndësishme për zhvillimin e tyre profesional dhe për të rritur cilësinë e kërkimit shkencor,” tha ai.
Rektori Tode i Hochschule Flensburg, u shpreh gjithashtu optimist dhe entuziast për këtë bashkëpunim, duke theksuar përkushtimin e universitetit të tij për të zhvilluar partneritete që i përgatisin studentët për sfidat e tregut global.
“Jemi të gëzuar për këtë mundësi për të ndërtuar ura të forta akademike dhe për të ndarë përvoja të dobishme midis institucioneve tona,” tha ai. Të pranishmit në këtë ngjarje u shprehën të kënaqur për perspektivat që ky memorandum do të sjellë për të dyja palët, duke nënvizuar rëndësinë e ndërtimit të një bashkëpunimi të qëndrueshëm dhe të frytshëm për të ardhmen, thuhet në njoftim, raporton TV Prizreni.