Drejtoresha e Emergjencës dhe Sigurisë në Prizren, Ramize Sinanaj – Shala, ka njoftuar se gjatë ditëve të fundit, në disa zona të komunës së Prizrenit janë raportuar zjarre të shpeshta, të cilat sipas saj kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në mjedis. Ajo ka bërë të ditur se situata është shqetësuese për shkak të kushteve të motit të nxehtë dhe të thatë, të cilat e rrisin rrezikun e përhapjes së mëtejshme të zjarreve.
Drejtoresha Shala, tutje ka ftuar të gjithë qytetarët të jenë të kujdesshëm dhe të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr, si ndezja e zjarreve në natyrë apo djegia e mbeturinave. Çdo zjarr, sado i vogël, mund të përhapet me shpejtësi dhe të dalë jashtë kontrollit, ka thënë ajo.
“Në rast se vëreni zjarr ose tym, ju lutemi të njoftoni menjëherë shërbimet përkatëse përmes numrit të zjarrfikësve 193. Komuna e Prizrenit është në bashkëpunim të ngushtë me Njësinë e Zjarrfikësve dhe institucionet tjera relevante për të menaxhuar situatën dhe për të minimizuar dëmet. Ne ju sigurojmë që po merren të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur jetën dhe pronat e qytetarëve tanë.”, ka shkruar në fund të njoftimit të saj drejtoresha./TVPrizreni/