Dega e Lëvizjes VetëVendosje në Prizren ka reaguar pas ndërprerjes së furnizimit me ujë të pijshëm në 14 fshatra të komunës së Prizrenit, si shkak i punimeve që po zhvillohen për rregullimin e shtratit të lumit, i cili është afër burimit të ujit të pijshëm – Sozi në fshatin Nashec.
Me këtë rast, në reagim theksohet se, operatori ekonomik ka dëmtuar pellgun ujëmbledhës të burimeve, duke ndikuar në rënien e nivelit të ujit të pijshëm, ku pamundësohet furnizimi me ujë të pijshëm në fshatrat: Planejë, Gorozhup, Milem Mazrek, Gjonaj, Grazhdanik, Nashec, Tupec, Atmaxhë, Kobaj, Vlashnje, Kojush I dhe Kojush II, si dhe në fshatin Landovicë.
LVV e ka quajtur këtë problem si “skanadali i radhës nga kryetari Totaj”, duke shtuar se për arsye të neglizhencës dhe mosseriozitetit të udhëheqësve të komunës së Prizrenit, për javë të tëra rrezikojnë të mbeten pa furnizim me ujë të pijshëm mijëra banorë të këtyre fshatrave të Prizrenit.
Reagimi i plotë:
“Skandali i Shaqir Totaj
Të nderuar qytetarë, njoftoheni me skandalin e radhës të kryetarit Totaj, i cili rrezikon të lë pa ujë të pijshëm 14 fshatra në komunën e Prizrenit. Në punimet që Komuna e Prizrenit është duke i zhvilluar për rregullimin e shtratit të lumit, i cili është afër burimit të ujit të pijshëm – Sozi në fshatin Nashec, operatori ekonomik ka dëmtuar pellgun ujëmbledhës të burimeve, duke ndikuar në rënien e nivelit të ujit të pijshëm ku pamundësohet furnizimi me ujë të pijshëm në fshatrat:
1. Plane
2. Gorozhup
3. Mile
4. Mazrek
5. Gjonaj
6. Grazhdanik
7. Nashec
8. Tupec
9. Atmaxhë
10. Kobaj
11. Vlashnjë
12. Kojush I
13. Kojush II
14. Landovicë
Lëvizja VETËVENDOSJE! Qendra në Prizren, shpreh shqetësimin e saj ku për arsye të neglizhencës dhe mosseriozitetit të Komunës së Prizrenit, për javë të tëra rrezikojnë të mbeten pa furnizim me ujë të pijshëm mijëra banorë të këtyre fshatrave të Prizrenit.”, thuhet në fund të reagimit të LVV-së në Prizren./TVPrizreni/