KRU “Hidroregjioni Jugor” ka njoftuar se të martën, duke u bazuar në ankesat e shumta për mungesë të ujit në 14 fshatrat të cilat furnizohen nga burimi i Soziut, ekipet e KRU “Hidroregjioni Jugor” menjëherë kanë dalur në teren për të inspektuar burimin e ujit “Sozi” dhe defektet e mundshme që mund të ndikojnë në mungesën e furnizimit me ujë nga ky burim.
Në njoftim bëhet e ditur se ekipi i terenit konstatoi që ka rënie drastike të nivelit të ujit në kaptazhë, rrjedhimisht nuk ka ujë të mjaftueshëm për të pompuar në rezervuar.
Tutje njoftojnë se me qëllim të identifikimit të problemit, i cili është paraqitur gradualisht për më shumë se dy javë, dhe me qëllim të konstatimit të gjendjes faktike kanë kontaktuar organet kompetente komunale dhe bashkarisht kanë dalur në vend të ngjarjes.
“Sipas gjendjes faktike në teren, dyshohet që punimet që janë duke u zhvilluar për rregullimin e shtratit të lumit, i cili ndodhet në afërsi të burimit, kanë pasur impakt direkt në pellgun ujëmbledhës të burimeve të Soziut. Kuvendi komunal, në bashkepunim me operatorin ekonomik kanë marrë obligim që nga neser të fillojnë punimet për sanimin e problemit.”, bëhet e ditur në fund të njoftimit./TVPrizreni/