Komuna e Prizrenit ka njoftuar se kryetari, Shaqir Totaj, priti sot në takim përfaqësuesit e organizatave të bizneseve që veprojnë në komunën e Prizrenit për të diskutuar për fenomenin e ngritjes së çmimeve në fushën e hotelerisë dhe të shërbimeve, përfshirë parkingjet, sidomos në pjesën historike të qytetit.
“Me dinamizmin e jetës kulturore, sidomos në sezonin e verës, kur ka edhe shumë vizitorë në qytetin tonë, konsiderojmë se veprimet duhet bashkërisht të harmonizohen me qëllim të ruajtjes së reputacionit të qytetit të Prizrenit. Loja me çmime në afat të gjatë kohor askujt nuk i sjell përfitime, gjë që tashmë është e konfirmuar. Të gjitha veprimet do të monitorohen nga inspektorët komunalë dhe publikimi i çmimeve të shërbimeve në vende të dukshme është i domosdoshëm për të siguruar transparencë e për t’i shmangur keqkuptimet apo abuzimet që mund të ndodhin. Është e rëndësishme që të gjithë akterët të bashkëpunojmë për të siguruar që rritjet e çmimeve janë të arsyeshme dhe të përputhshme me nivelin e shërbimit që ofrohet, pasi, rritja e çmimeve në sektorin e hotelerisë dhe të parkingjeve, sidomos në zonën historike, mund të ndikojë negativisht në përvojën e vizitorëve dhe në imazhin e qytetit” – u shpreh kryetari Totaj, bëhet e ditur në njoftimin e komunës./TVPrizreni/