Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, e ka mbështetur qëndrimin e Bashkimit Evropian, i cili ka konsideruar se mbyllja e nëntë pikave të Postës së Serbisë në veri nga autoritetet kosovare është veprim i njëanshëm dhe i pakoordinuar.
Rohde ka thënë se veprimet e tilla bien ndesh me marrëveshjet e dialogut.
“Hapat e njëanshëm dhe të pakoordinuar jo vetëm që bien ndesh me marrëveshjet e dialogut, por – edhe më keq – rrezikojnë që aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE të ngel vetëm në sirtar”, ka shkruar Rohde në platformën “X”.
BE-ja ka thënë se mbyllja e zyrave të Postës së Serbisë në veri është veprim që nuk mund të ofrojë zgjidhje për asnjë çështje që i përket dialogut.
Policia e Kosovës të hënën ka mbyllur nëntë degë të Postës së Serbisë në komunat veriore të Kosovës, që kishin vepruar ilegalisht. Policia ka thënë se informatat i ka marrë nga ARKEP-i.
Në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq janë mbyllur nga tri objekte, në Zveçan dy, dhe një në Zubin Potok./KOHA/